Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur përballë Ulpianës të mërkurën.
Ballkani mposhti Ulpianën me rezultatin 3:0, në ndeshjen që i takoi javës së 21-të të elitës së futbollit kosovar. Daja ka theksuar se lojtarët e tij patën durimin përballë Ulpianës që sipas trajnerit nga Shqipëria, luajti mirë taktikisht.
“Ulpiana luan mirë taktikisht dhe zvogëlon zonat në fushën e vet. Ka koordinim të mirë në fazën e mbrojtjes. Ne duhej të ishim të durueshëm derisa gjetëm golin. Lojtarët kanë qenë të përqendruar gjatë gjithë kohës. Me golin e dytë gjetëm qetësi dhe Ulpiana luajti me një lojtar më pak në pjesën e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te ndeshjet tona dhe besoj se presioni për kreun e tabelës është prezent, por duhet t’i ndjekim ndeshjet hap pas hapi. Po ta bëjmë këtë gjë, mund të arrijmë synimet tona”, ka thënë Daja.
Ballkani është forcuar në vendin e parë me 42 pikë, ndërsa Ulpiana mbetet në kotën e 19 pikëve.