Manchester City nuk e ka ndërmend të dorëzohet për transferimin e mesfushorit Matheus Nunes, ka raportuar BBC të premten.
Pasi iu refuzuar oferta e parë nga Wolverhamptoni, mësohet se City ka bërë edhe ofertën e dytë zyrtare për Nunesin.
Në ofertën e parë, City kishte ofruar 55 milionë euro, ndërsa tani ka ofruar edhe 10 milionë më shumë për ta bindur Wolvesin në lirimin e 24-vjeçarit.
Portugezi pëlqehet shumë nga trajneri Pep Guardiola, i cili po kërkon me ngulm transferimin e tij.
Ai ka kontratë me Wolverhamptonin deri në vitin 2027, ndërsa ekipit anglez iu bashkua vitin e shkuar nga Sportingu i Lisbonës.
Nëse City transferon Nunesin, atëherë ai do të bëhet përforcimi i katërt në këtë afat kalimtar.
Para tij, kampionit të Anglisë i janë bashkuar edhe Jeremy Doku, Mateo Kovaçiq e Joshko Gvardiol.