Sport

Championsi prapë mund të nisë në Kosovë

Ndeshja Tre Penne – FC Santa Coloma ishte e para e edicionit aktual të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë gjysmëfinale e raundit preliminar të Ligës së Kampionëve ishte luajtur më 25 qershor të vitit të kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në tribuna ishin vetëm 35 shikues. Në mbrëmjen e 25 qershorit ishte luajtur ndeshja në mes të Feronikelit e Lincoln Red Imps, ndërsa më 28 qershor Feronikeli e kishte mposhtur Santa Coloman për të kaluar në raundin e parë kualifikues.

Edicioni që kishte nisur në Kosovë aktualisht është i pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por edhe edicioni i ri i Ligës së Kampionëve, pritet të nisë në Kosovë. Liga e Kampionëve është gara elitare evropiane për klube të futbollit.

Në të vërtetë UEFA zyrtarisht nuk ka njoftuar ende se ku do të luhet turneu i raundit parakualifikues, me të cilin nis një edicion i Ligës së Kampionëve.

Federata e Futbollit të Kosovës që më 4 prill kishte paralajmëruar mundësinë që turneu i edicionit të ardhshëm të mbahet sërish në Kosovë. Turneu parakualifikues nuk ka as për së afërmi shkëlqimin e ndeshjeve të vërteta të Championsit, atyre të fazës grupore dhe të fazave të mëvonshme.

Por për kampionin kosovar ka peshë sa i takon gjasave për kalim tutje.

“Me shumë mundësi FFK-ja prapë do të jetë organizatore e ndeshjeve parakualifikuese të Ligës së Kampionëve”, thuhet në një njoftim të FFK-së të 4 prillit, raporton Koha.net.

Se turneu do të zhvillohet në Kosovë është gjë e kryer sipas Radio Televizionit të San Marinos.

“Nëse kampionati deklarohet i mbyllur, San Marino do të përfaqësohet në kupat evropiane me tri skuadra. Tre Fiori do të luajë në mini-turneun e raundit preliminar të Ligës së Kampionëve që do të luhet në Kosovë më 28 korrik me Kosovën, Andorrën, Irlandën e Veriut dhe San Marinon (Tre Fiori)”, ka njoftuar “sanmarinotv.sm” të martën.

Në raundin preliminar paraqiten kampionët e katër vendeve të ranguara më së ulëti në UEFA, pra kampionët e Irlandës Veriore, Kosovës, Andorrës dhe San Marinos. Luhen dy gjysmëfinale dhe finalja. Fituesi i finales kalon në raundin e parë kualifikues.

Në bazë të planifikimit fillestar, ndeshjet e raundit parakualifikues është dashur të luhen më 23 dhe 26 qershor. Por ky plan ka rënë në ujë për shkak të ndërprerjes së gjatë për shkak të koronavirusit. UEFA synon të përfundoj edicionin aktual dhe të fillojë në verë edicionin e ardhshëm.

Në edicionin aktual janë luajtur disa ndeshje të raundit të parë nokaut, ndërsa kanë mbetur të luhen edhe ndeshje tjera. UEFA është e përkushtuar të zhvillojë të gjitha ndeshjet e mbetura.

Në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë datë për vazhdimin e kampionatit. Madje nuk është e sigurt që do të ndodhë kjo. Sporti parashikohet të rifillojë vetëm në qershor. Ka mendime të ndryshme nëse duhet të shpallet kampioni, nëse eventualisht edicioni nuk vazhdon. Ka diskutime edhe për atë se cilat skuadra duhet të luajnë në Evropë. Në edicionin e ardhshëm tri skuadra kosovare do të luajnë në Evropë, kampioni në Ligën e Kampionëve, ndërsa nënkampioni dhe fituesi i Kupës në kualifikimet e Ligës së Evropës.