Futboll

Emocionet e hershme të Championsit fillojnë të martën

liga e kampioneve

Më 16 shtator fillon faza e ligës në garën elitare evropiane të futbollit. Por emocionet e Ligës së Kampionëve fillojnë që të martën. Nuk paraqiten skuadrat më të mira evropiane, por paraqiten kampionë nga shumë e shumë vende, që kërkojnë t’i afrohen sa më pranë fazës së ligës, e pse jo edhe të paraqiten në të. Prej vjet, faza e ligës e ka zëvendësuar fazën grupore të Championsit.

Janë plot 28 skuadra, të gjitha kampione të vendeve të tyre, që paraqiten në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues janë të martën e të mërkurën.

Ndër të tjera, paraqitet edhe kampionia e Kosovës, Drita e Gjilanit. Të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita luan me kampionin e Luksemburgut, Differdange. Ndeshja transmetohet në KTV. 

Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, të martën nga ora 21:00 në Rrogozhinë luan me Breidablikun e Islandës. 

Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, tjetër skuadër shqiptare, luan në udhëtim ndaj The New Saints të Uellsit, të martën nga ora 20:00.

Ky është edicioni i 71-të i garës elitare evropiane për klube të futbollit. Ndërkohë është edicioni i 34-t prej se gara elitare njihet me emrin Liga e Kampionëve. Finalja do të zhvillohet më 30 maj 2026 në Budapest të Hungarisë.

29 ekipe janë kualifikuar direkt në fazën e ligës në Champions. Ndërkohë shtatë ekipet e fundit caktohen përmes kualifikimeve. Në kualifikime janë katër raunde gjithsej. I fundit është raundi i plejofit që zhvillohet në pjesën e dytë të muajit gusht. 

27 ekipe janë kualifikuar direkt në fazën e ligës bazuar në suksesin e tyre në kampionatet vendore. Në fazën e ligës garën e fillon edhe fituesi në fuqi i Championsit, Paris Saint-Germaini dhe fituesi i Ligës së Evropës, Tottenhami.

Për të parë skuadrat më të mira evropiane duke luajtur në Champions, duhet të pritet deri më 16 shtator. Por që nga e marta do të ketë ndeshje shumë të forta e shumë interesante. Të hyrat nga UEFA për të gjitha skuadrat që garojnë në kupa evropiane janë shumë të mëdha dhe kjo e bën garën më atraktive. Avancimi në secilin raund sjell qindra mijëra euro shtesë për klubet.

UEFA organizon edhe Ligën e Evropës, që është niveli i dytë i garave evropiane për klube, dhe Ligën e Konferencës, që është niveli i tretë.

Më shumë se 150 skuadra evropiane paraqiten në raundin e parë dhe raundin e dytë kualifikues, nëse për bazë merren tri garat e UEFA-s.

Gjatë korrikut dhe gushtit do të luhen më shumë se 400 ndeshje kualifikuese mes skuadrave. Kështu të tri garat e UEFA-s do të kompletohen me nga 36 skuadra për fazën e ligës. 

“Këto shifra janë dëshmi e asaj që përfaqëson futbolli evropian: përfshirje, diversitet, drejtësi dhe mundësi. Kjo tregon angazhimin e UEFA-s për zhvillimin e futbollit të klubeve në të gjitha pjesët e Evropës. Klubet nga të gjitha vendet duhet të kenë shansin për të përjetuar futboll të klasit botëror dhe për të testuar veten në garat kryesore, duke u ofruar tifozëve një aventurë të vërtetë ndërkombëtare”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin.

Nga kjo politikë e UEFA-s po përfiton shumë edhe futbolli kosovar. Pos Dritës si kampione, në gara evropiane paraqiten edhe Prishtina si fituese e Kupës, Ballkani si nënkampion dhe Malisheva si e treta në kampionat. 

Prishtina e Malisheva po ashtu luajnë këtë javë, përkatësisht të enjten.

Ndeshja e parë e edicionit të ri në Champions është ajo mes KuPS-it të Finlandës dhe Milsamit të Moldavisë, që zhvillohet të martën nga ora 17:00.

Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues të Championsit

E martë
KuPS (Finlandë) – Milsami (Moldavi)    17:00
Iberia (Gjeorgji) – Malmo (Suedi)    18:00
Noah (Armeni) – Buduqnost (Mali i Zi)    18:00
Levadia Tallin (Estoni) – RFS (Letoni)    18:30
Olimpija (Slloveni) – Kairat (Kazakistan)    19:00
The New Saints (Uells) – Shkëndia (Maqedoni V.)    20:00
DRITA (Kos) – Differdange (Luksemburg)    20:00
Vikingur (Ishujt Faroe) – L. Red Imps (Gjibraltar)    20:00
Egnatia (Shqipëri) – Breidablik (Islandë)    21:00
Virtus (San Marino) – Zrinjski (Bosnjë-Hercegovinë)    21:00

E mërkurë
Zhalgiris (Lituani) – Hamrun (Maltë)    18:00
FCSB (Rumani) – Inter Escalades (Andorrë)    19:30
Ludogorets (Bullgari) – Dinamo Minsk (Bjellorusi)    19:30
Shelbourne (Irlandë) – Linfield (Irlandë e Veriut)    20:45