Futboll

Championsi fillon të martën, pritet dramë e vërtetë

champ

(AP) – Formati i ri i Ligës së Kampionëve solli befasi, emocione dhe në fund një fitues të ri të garës elitare evropiane për klube të futbollit. Championsi me format të ri u prezantua për herë të parë edicionin e kaluar. Faza grupore u zëvendësua me fazë të ligës.

Dhe tani skuadrat më të mira evropiane janë gati që të fillojnë përsëri.

Gjithçka fillon të martën. Xhiroja e parë e fazës së ligës zhvillohet gjatë tri ditëve, të martën, të mërkurën dhe të enjten.

Paris Saint-Germaini triumfoi në maj. Shënoi fitore 5:0 ndaj Interit, që është më e thella e finales në histori të garës. Por rruga e Parisit deri në finale nuk ishte aspak e lehtë dhe e qetë. Dukej që parisienët do të eliminoheshin që në fazën e ligës.

Ishte një lloj i dramës dhe rrezikut që UEFA e dëshironte kur nisi një riorganizim rrënjësor të garës. Grupet me nga katër skuadra, ku rezultatet kryesisht ishin të parashikueshme dhe favoritët më shumë avanconin se që dështonin, i takojnë historisë.

Tani është faza e ligës ku çdo ndeshje ka rëndësi. Edicionin e kaluar gara ishte e hapur deri në fund. Skuadra si Real Madridi, Manchester City dhe PSG ishin të pasigurta për fatin e tyre.

Megjithatë Championsi u fitua sërish nga një prej ekipeve më të fuqishme dhe të shtrenjta në botë, PSG-ja. UEFA-n e gëzoi fakti që një kampion i ri u shtua në listë dhe sidomos që ndryshimi i formatit ofroi një nivel paparashikueshmërie që rrallë është parë kohët e fundit.

Formati i ri me faktor të ri rreziku

Tetë grupet me nga katër skuadra u zëvendësuan me fazën e ligës. Të gjitha 36 skuadrat janë pjesë e një lige. Kjo do të thotë më shumë ekipe, më shumë ndeshje dhe më shumë para.

Dhe, të paktën në edicionin e parë, kjo do të thoshte më shumë rrezik për elitën evropiane.

Në vend se të luanin dy herë me çdo kundërshtar të grupit, ekipet me formatin e ri luajnë tetë ndeshje me kundërshtarë të ndryshëm.

Skuadrat ishin të ndara në katër vazo dhe secila prej tyre luan me dy kundërshtarë të vazos së parë, dy të vazos së dytë, dy të vazos së tretë e dy të vazos së katërt. Pra secila skuadër i ka potencialisht dy ndeshje shumë të forta.

Formati i ri ofron më shumë ndeshje mes top-skuadrave. Për shembull Real Madridi luan me Liverpoolin e me Manchester Cityn. PSG-ja luan me Barcelonën e Bayernin.

Formati i ri i përshtatshëm për ekipet me renditje më të ulët

Formati i ri vështirë se rrit gjasat që skuadra nga Norvegjia apo Zvicra të jenë fituese. Por u jep ekipeve me renditje më të ulët më shumë mundësi për të grumbulluar pikë dhe për të avancuar në plejofin e fazës nokaut, apo në një të tetën e finales.

Kjo ndodh për shkak se ekipeve u garantohen dy ndeshje me skuadrat e vazos së katërt. Pra ekipet e ranguara më poshtë luajnë edhe me skuadra me cilësi të përafërt, në vend që thjesht të eliminohen nga ekipet elitare.

Bresti dhe Brugge vjet avancuan në plejof. Por Young Boysi dhe Slovan Bratislava mbetën pa pikë.

Tetë skuadrat e para pas tetë xhirove në fazën e ligës avancojnë në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deir në vendin e 24-t avancojnë në plejof. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të e deri në vendin e 36-të eliminohen pas fazës së ligës.

Në plejof, skuadra e vendit të nëntë luan me skuadrën e vendit të 24-t. Skuadra e vendit të dhjetë luan me të 23-tin e kështu me radhë.

Kjo solli dramë edicionin e kaluar. Në plejof u përballën dy kampionët e fundit, Madridi e Manchester City. Skuadra angleze u eliminua.

Renditja në fazën e ligës nuk tregon shumë

Liverpooli ishte i pari në fazën e ligës. Mposhti skuadra si Real Madridi, Milani e Bayer Leverkuseni. Por PSG-ja, që mezi avancoi përmes plejofit, fitoi në fund. PSG-ja e eliminoi Liverpoolin në një të tetën e finales. Pra skuadra që në fazën e ligës ishte në vendin e 15-të, e eliminoi skuadrën që ishte në vendin e parë.

Trajneri i Liverpooli, Arne Slot, tha se skuadra e tij ishte e pafat që u përball me njërën prej skuadrave më të mira në Evropë. Parisi avancoi me penallti.

“Ky është formati i ri dhe duhet ta pranojmë”, kishte theksuar Sloti.

Në edicionin e ri ndeshje të mëdha do të ketë që në xhiron e parë.

Chelsea, që javë më parë fitoi Botërorin e klubeve, do të ketë udhëtim të vështirë në Gjermani. Chelsea të mërkurën luan me Bayern Munchenin.

Në të njëjtën natë, PSG-ja e nisë mbrojtjen e titullit në ndeshjen ndaj Atalantas. Ndërkohë Liverpooli do të testohet në shtëpi nga Atletico Madridi.

Të enjten, Newcastle e pret Barcelonën, ndërsa Manchester City luan në shtëpi ndaj kampionit të Italisë, Napolit.

Vetëm xhiroja e parë zhvillohet gjatë tri ditëve.

Sfida do të jetë që të ndalet Parisi, që priti gjatë për titullin e parë evropian. Skuadrat nga Anglia kanë bërë përforcime të shumta e cilësore për ta rrëzuar Parisin. Natyrisht, pretendente vlerësohen edhe skuadrat nga Spanja, ndërsa asnjëherë nuk bën të përjashtohet Bayerni dhe skuadrat më të mëdha italiane.

Finalja e ardhshme e Championsit është më 30 maj 2026 në “Pushkash Arena” në Budapest.