Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bylbyl Sokoli drejton shkollën e futbollit Prishtina

Bylbyl Sokoli nuk ka drejtuar si trajner asnjë skuadër prej qershorit të vitit të kaluar. Por Sokoli nuk mbeti pa punë. Katër muaj pasi u largua nga Malisheva, skuadër të cilën e udhëhoqi drejt mbijetesës në Superligë, Sokoli u emërua drejtor i shkollës së futbollit Prishtina.

Pra nga tetori i vitit të kaluar Sokoli drejton shkollën e futbollit Prishtina. Skuadra nga kryeqyteti nuk ka njoftuar zyrtarisht për emërimin e Sokolit si drejtor i shkollës së futbollit. Vetëm pas interesimit të KOHËS, drejtori i Prishtinës, Artan Osmani ka konfirmuar për KOHËN se trajneri i shumë skuadrave në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, deri në qershor ka kontratë me klubin Prishtina. Ndër klubet që ka drejtuar gjatë karrierës është edhe Prishtina. Ai ka drejtuar edhe Gjilanin, Ferizajn, Llapin, Renovën, Hysin, Milanon e Kumanovës. “Profesori Bylbyl është drejtor i shkollës nga tetori i vitit të kaluar.

Menaxhon me trajnerët, nxënësit e shkollës. Bën përzgjedhjen e trajnerëve dhe planprogramin e punës me të rinjtë. Ai me ne ka kontratë deri në qershor të këtij viti. Na është rekomanduar sistem më ndryshe nga e kaluara.

Pra grumbullimi i lojtarëve të jetë më shumë te mosha nga 7 deri 10 vjeç, kurse më pak të ketë nga mosha 15-vjeçare. Presim përmirësimin e kushteve në muajt në vazhdim. Kështu kemi edhe premtime”, ka thënë Osmani.