Ish-përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka thënë se Kosova duhet të gjejë një balancë mes repartit ofensiv dhe atij defansiv për të befasuar Suedinë në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2022.
Sipas tij, Kosova tashmë ka krijuar përvojën e mjaftueshme dhe është në hapa të mirë për t’u konsoliduar edhe më shumë.
“Ne duhet të besojmë, pavarësisht se Suedia është kombëtare e respektueshme. Por futbolli di të befasojë. Ka kualitet Kosova sidomos në repartin ofensiv, e me pak balancë në repartin defansiv mund ta befasojë, pse jo”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka shtuar se edhe Suedia ka respekt të madh për Kosovën. Për të nxjerrë rezultat të mirë ndaj suedezëve, Bunjaki ka thënë se Kosova duhet të respektojë kundërshtarin.
“Nuk është kombëtare që s’mund ta befasojmë. Ekziston mundësia të marrim edhe tre pikë. Por duhet respekt. Kanë sulmues të mirë. Kanë kthyer madje edhe qendërmbrojtës të vjetër”, ka shtuar ai.
Edhe
Trajneri i njohur në Turqi: Kosova është fantastike
Sa i përket përballjes pasuese, me Spanjën, Bunjaki e ka krahasuar Kosovën me rastin e Greqisë, që sot pavarësisht se pati veç rreth 20 për qind të posedimit të topit, arriti t’ia marrë një pikë në kuadër të Grupit B. Në anën tjetër Suedia nisi me fitore, duke mposhtur Gjeorgjinë 1:0.
Ka thënë se mes Kosovës e Suedisë ka pasur vazhdimisht bashkëpunime dhe ka lidhje të fortë mes futbollit të të dy shteteve. E ka quajtur Suedinë përkrahëse të madhe të Kosovës.
Bunjaki ka thënë se nuk duhet të ketë nguti sa i përket raportit me futbollistët shqiptarë që luajnë për kombëtare të tjera te të rinjtë. Ai ka thënë se janë disa faktorë që mund të shtyjnë një futbollist të vijë të luajë për Kosovën apo jo, duke theksuar se së fundmi është duke u bërë luftë më e ashpër edhe mes agjentëve e klubeve.
Se cilin kundërshtar e sheh si më të rrezikshmin në grup, Bunjaki ka deklaruar se Kosova duhet t’i shohë ndeshjet një nga një.
Edhe
Ujkani zbulon veprimin e lojtarëve nëse ka thirrje “Kosova është Serbi”
Ka porositur që të mos mendohet fare për politikë, përderisa Kosova është e pranuar në institucionet kryesore të futbollit në Evropë e botë.
Bunjaki ka refuzuar të japë datë se kur do të nisë përdorimi i sistemit VAR në Kosovë. Sipas tij, në 3-4 muajt e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës është bërë punë shumë e madhe për këtë sistem. Ka thënë se “VAR-i do të jetë shpejt pjesë e futbollit të Kosovës”.