Futboll

Bunjaku thotë se Kosova do të jetë forcë në turne të mëdhenj

Albert Bunjaku

Ish-futbollisti i Zvicrës dhe i Kosovës, Albert Bunjaku, ka thënë se Kosova do të jetë përfaqësuese e fortë në vitet e ardhshme, përfshirë edhe në turne të mëdhenj të futbollit.

“Kosova është diçka që mund të presim ta shohim në vitet e ardhshme”, ka thënë Bunjaku në një intervistë për “Blue Sport”, të martën.

Ish-qendërsulmuesi beson në të ardhme të ndritur për futbollin kosovar.

“Jam i bindur se do të ketë një tjetër rritje në vitet e ardhshme. Zhvillimi që është nisur nuk është ende i plotë. Kosova me siguri do të jetë një forcë që duhet të llogaritet në vitet e ardhshme, përfshirë edhe në turne të mëdhenj”, ka theksuar Bunjaku.

Ai kishte vendosur t’i bashkohej Kosovës pas gjashtë paraqitjeve me Zvicrën. Bunjaku, tani 41-vjeçar, ishte pjesë e “helvetikëve” në Kupën e Botës 2010, duke bërë një paraqitje të shkurtër kundër Kilit.

Ai tha se vendimin për të përfaqësuar Kosovën në moshën 32-vjeçare e kishte marrë me zemër.

Bunjaku vazhdon të jetë pjesë e futbollit kosovar. Tani e kryen detyrën e selektorit të Kosovës U19.

Bunjaku beson se dy lojtarët e Hoffenheimit, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, zgjodhën me vetëdije të paraqiten për Kosovën. Ardhja e Hajdarit dhe Avdullahut ka rritur nivelin e lojës së Kosovës, thotë ai.

“Kosova është zhvilluar jashtëzakonisht shumë gjatë viteve. Unë besoj se në të ardhmen të rinjtë me shtetësi të dyfishtë nuk do të zgjedhin më thjesht Zvicrën, Gjermaninë ose një përfaqësuese tjetër në vend të Kosovës, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën”, është shprehur Bunjaku.

Në fakt, gjithnjë e më shumë të rinj me shtetësi të dyfishtë po zgjedhin të luajnë për Kosovën gjë që, sipas Bunjakut, kontribuon në zhvillimin sportiv të vendit.

Që nga viti 2016, Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s.

Më 3 qershor 2016, Kosova luajti miqësore kundër Ishujve Faroe dhe fitoi 2:0. Bunjaku u bë golashënuesi i parë i Kosovës pas pranimit.

Tani si përzgjedhës i Kosovës U19, Bunjaku kërkon gjithashtu talente në të gjithë Evropën.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne t'i identifikojmë talentet herët dhe që lojtarët e rinj të kuptojnë se po bëjmë një përpjekje për t'i rekrutuar ata. Të bindësh një lojtar që t'i bashkohet Kosovës nuk është aspak e vështirë sot sa ishte në kohën time”, ka thënë Bunjaku.