Sulmuesi Albert Bunjaku ka luajtur fillimisht për Zvicrën, madje edhe në Botëror, e më pas për Kosovën. Aktualisht Bunjaku është përzgjedhës i Kosovës U19.
Në prag të ndeshjes mes Zvicrës dhe Kosovës, Bunjaku është pyetur nga “Blick” lidhur me lojtarët me shtetësi të dyfishtë, përkatësisht për lojtarët e lindur e rritur në Zvicër, e që vendosin të luajnë për Kosovën.
Rasti i Leon Avdullahut ka kthyer këtë temë në opinionin zviceran.
Kur Bunjaku luajti për Zvicrën, Kosova ende nuk luante ndeshje garuese ndërkombëtare. Dhe kur ai nisi të luante për Kosovën, më nuk ishte në planet e Zvicrës.
“Kualiteti i lojtarëve të tjerë ishte më i lartë. Të gjithë kanë luajtur në top-klube”, ka thënë Bunjaku për “Blick”.
Kështu që 41-vjeçari asnjëherë nuk është përballur me vendimin e vështirë për të zgjedhur. Dhe është i lumtur për këtë.
Ndryshe ishte me Avdullahun. Ai mund të luante edhe për Zvicrën edhe për Kosovën. Dhe vendosi për Kosovën.
Bunjaku ka thënë se është i lumtur që nuk është dashur të zgjedh “pasi të dy ekipet nacionale janë të afërta me zemrën time”.
I pyetur për Avdullahun, ka thënë “se nuk do të dëshironte të ishte në pozitën e tij. Është shumë e vështirë për ta të marrin një vendim tani”.
Si përzgjedhës i Kosovës U19 ai përballet me situata të tilla shpesh. Tregon se ka folur me familjarë të shumë lojtarëve, jo vetëm të atyre të rritur në Zvicër, por edhe të lojtarëve që jetojnë në Gjermani dhe vende tjera evropiane.
“Bisedat personale janë vendimtare që dikush të zgjedhë Kosovën”, thotë ish-sulmuesi i njohur i Bundesligës. Disa prej atyre që i kontakton Bunjaku dëshirojnë menjëherë të luajnë për Kosovën. Disa hezitojnë e disa refuzojnë menjëherë.
“Për mendimin tim vendimtare është familja e lojtarit. Familja ndikon shumë”, thotë ai.
Bunjaku ka thënë se ndihmon fakti që Kosova ka një udhëheqës federate energjik me Agim Ademin, që udhëton shumë dhe rekruton lojtarët.
“Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për federatën e Kosovës. Ai ka arritur shumë në kuptimin e zhvillimit të vendit”, thotë Bunjaku.
Ai vlerëson se dallimi në cilësi mes Zvicrës dhe Kosovës më nuk është i madh. Thotë se në të kaluarën Zvicra do të fitonte nëntë ndeshje e gjysmë prej dhjetë ndaj Kosovës. Por më nuk është kështu.