Sport

Bolt me emocione fiton garën e fundit në vendlindje

Usain Bolt emocional, u rikuperua pas një starti modest për të fituar garën e tij të fundit në 100 metra sprint në vendlindjen e tij, duke regjistruar, të shtunën, kohë prej 10.03 sekonda në 2nd Racers Grand Prix në Kingston të Xhamajkës.

Kampioni i shumëfishtë olimpik dhe i botës, xhamajkani Bolt, ka paralajmëruar më herët se do të pensionohet pas Botërorit të atletikës që mbahet në Londër në gusht të këtij viti, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra, kishte pranuar se ishte pak në stres pasi po vraponte garën e tij të fundit në vendlindje.

“Vrapimi ishte në rregull. Më duhet të them se ishte në rregull. Nuk besoj se kam qenë ndonjëherë aq në stres duke vrapuar një garë 100 metërshe”, ka thënë Bolt, pas një rrethi nderi në stadiumin e stërmbushur, ku prezent ishte edhe presidenti i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), Sebastian Coe dhe liderët politikë të Xhamajkës, përfshirë edhe kryeministrin e vendit Andrew Holness.

“Mendoj se kjo ishte ndoshta një prej garave të mia më të këqija. Ekzekutimi ishte i dobët, starti ishte i dobët si gjithmonë. Por, unë nuk prisja ndonjë gjë spektakolare. Ishte gara ime e parë që kur vrapova 150 metra në janar dhe disa gara në stafeta në Australi, kështu që thjesht doja të qëndroja i lirë nga lëndimet, të ofroja pak 'shou' për tifozët dhe t'iu tregojë se u jam falënderues për përkrahjen që më kanë dhënë gjatë viteve”.

Bolt nuk ka lënë pa përmendur edhe atmosferën në arenë, që ishte mbresëlënëse... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.