Sport

Besa kërkon titullin në Mitrovicë, Trepça barazimin e serisë finale

Besa Famgas udhëton me synim të qartë për në Mitrovicë – që në palestrën “Minatori” ta festojë titullin e dhjetë rresht të kampionit të Kosovës në hendboll. Por plane të tjera ka skuadra mitrovicase, Trepça. “Xehetarët” llogaritin në përkrahje të madhe nga tribunat në tentimin për ta barazuar në 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit.

Ndeshja e dytë finale luhet të enjten prej orës 20:15. Ndeshjen e parë, të luajtur të shtunën në Pejë, Besa e fitoi me vështirësi, 30:27. Besa në fakt ishte në epërsi për kohë të gjatë, por mitrovicasit nuk i kanë ndalur përpjekjet deri në fund për ta barazuar rezultatin. Më herët Trepça e mposhti Besën në finale të Kupës së Kosovës.

Pra të gjitha kushtet janë që në “Minatori” të luhet një ndeshje shumë e fortë hendbolli. Numri i shikuesve pritet të jetë i madh po ashtu.

“Besa Famgas në çdo ndeshje ka udhëtuar vetëm për fitore. Kur të shtojmë faktin se nga udhëtimi në Mitrovicë mund të kthehemi si kampionë, atëherë vullneti dhe dëshira për këtë ndeshje është edhe më i madh. Trepça këtë vit ka qenë skuadër e organizuar mirë, me aq sa kam parë. Ndeshjet me Trepçën ishin të forta dhe besoj se dhe kjo do të jetë interesante. Por këtë edicion jemi 5:1 në favorin tonë dhe kjo dëshmon se jemi favoritë ndaj skuadrës mitrovicase”, ka thënë kapiteni i Besa Famgas, Egzon Gjuka.

Skuadra pejane në kampionat nuk ka humbje.

“Ka shumë vjet që Besa e ka thënë fjalën kryesore në hendbollin kosovar. Peja ka qenë destinacioni i pothuajse të gjithë trofeve në të gjitha kategoritë në hendboll. Këtë vit kemi bërë një lëshim të madh në finalen e kupës, por kjo nuk zbeh dominimin e skuadrës së Besës në hendbollin kosovar. Në Pejë jemi të bindur që ky dominim do të vazhdojë edhe për shumë vjet të tjerë”, ka theksuar Gjuka.

Trepça në finale po paraqitet për herë të parë pas gjashtë vjetësh. Titullin e fundit e ka fituar në vitin 2001. Me Kupën e Kosovës, skuadra mitrovicase i dha fund pritjes shumë të gjatë për trofe. Tani te Trepça synojnë edhe titullin e kampionit. Por fillimisht duan barazimin e rezultatit në 1:1 në serinë finale. Tifozëria është një tjetër motivim i madh për Trepçën. Kështu ka thënë kapiteni Sali Maxhera.

“Trepça në ndeshjen e së enjtes paraqitet e motivuar për rezultat pozitiv. Luajmë në terrenin tonë. Tashmë është dëshmuar shumë herë që Trepça ka numrin më të madh të tifozëve në Kosovë. Një tifozëri e zjarrtë si ‘Torcida’ është motivi ynë më i madh”, ka thënë pivoti Maxhera.

Kampionatin e rregullt, Trepça e përfundoi në pozitën e dytë. Në gjysmëfinale të plejofit pas dy ndeshjeve e eliminoi Prishtinën. Besa lehtë në gjysmëfinale e kaloi Vushtrrinë.

“Jemi të kompletuar dhe të fokusuar 100 për qind në ndeshjen e së enjtes. Motivimi në fakt ka qenë që prej fillimit të kampionatit. Njëri qëllim është arritur me sigurimin e Kupës së Kosovës. Ai trofe na ka shtuar motivin edhe për kupën tjetër, atë të kampionit”, ka shtuar Sali Maxhera.

Në ndeshjen e kaluar të Trepçës si vendase, palestra buzë Ibrit ishte thuajse e mbushur. Njëjtë pritet të jetë edhe të enjten mbrëma.