Asnjëri prej lojtarëve yje që iu bashkua Chelseat muajin e shkuar nuk i bëri përshtypje dhe nuk e shqetësoi mesfushorin Jude Bellingham. Me vetëm 19 vjet, anglezi me qetësi mbajti shiritin e kapitenit te Dortmundi dhe shkëlqeu në fushë në një ndeshje të rëndësishme të Championsit.
Madje, Bellinghami e udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores ndaj Chelseat, 1:0, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Champions. Ajo paraqitje vetëm konfirmoi statusin e Bellinghamit në ekipin gjerman dhe respektin e madh të bashkëlojtarëve të cilët pranuan që ai të jetë kapiten për të udhëhequr skuadrën në njërën prej ndeshjeve më të mëdha të sezonit. Bellinghami dukej lider i sigurt në fushë, pa frikë të jepte urdhra apo të nxiste turmën në tribuna.
“Mendoj se është një fitore e madhe për ne në shtëpi, pa dyshim. Kjo fitore vetëm bën që të vazhdojmë me sukses këtë vit, të cilin e kemi nisur furishëm”, tha Bellingham.
Nuk ishte hera e parë për Bellinghamin si kapiten i Dortmundit. Ai e kishte mbajtur shiritin tri herë këtë sezon. Por ta bëjë këtë në moshën 19-vjeçare në një lojë me kaq presion, nuk ishte aspak e lehtë. Vetëm një lojtar tjetër ka qenë kapiten në një ndeshje eliminatore të Ligës së Kampionëve, ndërsa ishte ende adoleshent - Matthijs de Ligt për Ajaxin në vitin 2019.
Trajneri Edin Terziq ndihej rehat duke i dhënë Bellinghamit shiritin dhe duke e bërë më të lehtë mbajtjen e kapitenit të rregullt Marco Reus dhe zëvendëskapitenit Mats Hummels në bankën e rezervistëve. Nga ana tjetër kjo e ndihmoi Dortmundin të luante me intensitet më të lartë, duke u mbrojtur nga kundërsulmet e shpejta të Chelseat dhe duke shënuar golin e vetëm të lojës falë ritmit të Karim Adeyemit.
“Asnjëherë nuk kam frikë që shiritin e kapitenit t’ia besoj Judet. Edhe pse ka vetëm 19 vjet, ai është shumë i pjekur si futbollist. Ndihem me fat dhe i sigurt kur e shoh Juden në fushë duke dhënë instruksione dhe duke luajtur si kapiten”, ka pranuar Terziq. “Këtë edicion ai do të bartë edhe në shumë ndeshje të tjera shiritin, të jeni të sigurt”.
Mosha e Bellinghamit nuk përshtatet me përvojën e tij, duke qenë se ai ka luajtur 162 ndeshje në nivelin senior për Dortmundin dhe klubin e tij të parë, Birminghamin.
Të dielën e pret ndeshja e 81-të në Bundesligë. Dortmundi pret Hertha Berlinin në një përpjekje për të zvogëluar dallimin prej tri pikësh ndaj liderit të ligës, Bayernit. Dortmundi nuk pati stabilitet në gjysmën e parë të edicionit, pasi e shiti Erling Haalandin te Manchester City dhe më pas humbi zëvendësuesin e tij, Sebastien Haller, i cili këtë vit është kthyer në fushë pas trajtimit të kancerit.
Dortmundi shkoi në pushimin për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në vendin e gjashtë në Bundesligë dhe me nëntë pikë larg liderit. Pushimi shumë i gjatë në Gjermani, më i gjati nga pesë ligat më të mira evropiane, e ka rigjallëruar skuadrën. Fitorja ndaj Chelseat ishte e shtata radhazi e Dortmundit në të gjitha garat, për të filluar vitin 2023 me një bilanc 100 për qind.
“Këtë vit kemi filluar mirë dhe shpresoj të vazhdojmë më këtë ritëm. Kemi një ekip kompakt, i cili mund të bëjë gjëra të mëdha deri në fund të sezonit. Nuk i frikësohemi askujt”, tha Terziq.
Ndërsa sezoni i afrohet fundit, spekulimet rreth të ardhmes së Bellinghamit do të bëhen edhe më të mëdha, pas vetëm tri sezonesh në Gjermani. Ai ka edhe dy vjet në kontratë, kurse të gjitha indikacionet janë se Bellingham do të bëhet lojtari i radhës që nga Dortmundi shkon në Premier League, si Haaland verën e kaluar dhe Jadon Sancho para tij. Kushdo që blen Bellinghamin nuk do të marrë vetëm një nga mesfushorët më të mirë në botën e futbollit, por edhe një lider.
“Nuk po mendoj për të ardhmen time, pasi thjesht jam i fokusuar ta përfundoj sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, insistoi Bellingham.
Skuadrat angleze, si Chelsea, Manchester United, Liverpool e Manchester City, janë në garë për Bellinghamin. Ato po sfidohen edhe nga Real Madridi për firmën e mesfushorit anglez.