Sport

Dortmundi synon ta shfrytëzojë rastin e madh për ta larguar Bayernin nga froni

Borussia Dortmund - Liga e Kampioneve

Ky mund të jetë më në fund edicioni në të cilin Borussia Dortmundi mund ta rrëzojë Bayern Munichun nga froni. Shumë shpesh në ecurinë 10-vjeçare të Bayernit drejt titujve të kampionit të Gjermanisë, Dortmundi nuk ka arritur të shfrytëzonte rastet për t’ia mohuar suksesin rivalit, edhe kur bavarezët humbnin pikë.

Mirëpo, kjo ndryshoi të shtunën kur Dortmundi mposhti Eintracht Frankfurtin 4:0 për t'u ngjitur në krye të Bundesligës, pasi Bayern humbi 3:1 kundër Mainzit. Kampioni aktual ka pësuar tre gola brenda 14 minutave.

Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, është njëri prej më të merituarve për rezultatet e mira të Dortmundit këtë sezon dhe 19-vjeçari tani ka kërkuar nga ekipi i tij që mos ta lëshojë lidershipin deri në fund. Aktualisht Dortmundi ka një pikë më shumë se Bayerni në garën për titull, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të sezonit.

“Të jem i sinqertë, do të thoshte gjithçka për mua po ta fitojmë titullin e kampionit. Do të thotë bota për mua, pasi do të arrija një sukses të jashtëzakonshëm”, pranoi Bellingham të hënën. “Nuk dua të flas shumë për këtë dhe ta vendos veten në një zonë ku ndihem sikur kam fituar tashmë, sepse do të vijnë edhe pesë ndeshje vërtet të vështira, pavarësisht nga mënyra se si i shohin të tjerët”.

Bellinghami është pjesë e Dortmundit prej vitit 2020 dhe deri më tani ka fituar vetëm një trofe, atë të Kupës së Gjermanisë në vitin 2021. Ai është njëri prej futbollistëve më të përfolur për t’u larguar nga Dortmundi në verë. Interesim për transferimin e tij tashmë kanë shfaqur Liverpooli, Manchester City, Chelsea e Real Madridi. Kështu që nëse Bellingham e fiton titullin e kampionit me Dortmundin, atëherë do të largohej si kampion nga ekipi me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.

“Do të doja më shumë se çdo gjë për momentin ta fitoja titullin me këtë klub, i cili më ka dhënë gjithçka në karrierë. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët po japin çdo gjë nga vetja për ta realizuar këtë ëndërr, duke pasur parasysh se Dortmundi nuk ka fituar titull prej vitit 2012”, tha Bellingham.

Gjatë kohës së tij në Gjermani, Bellingham është zhvilluar në një titullar të padiskutueshëm për Anglinë dhe në një lider për Dortmundin në fushë. Strategjia e Dortmundit për angazhimin e talenteve të reja më të mirë, për t'i shitur pastaj për fitime të mëdha, është treguar tejet e suksesshme me Bellinghamin. Paraqitjet e tij për Dortmundin po krahasohen me ato të Erling Haalandit dhe Ousmane Dembeles gjatë viteve të fundit. Por, strategjia e Dortmundit po ashtu ka bërë që klubi të jetë në një cikël të vazhdueshëm rindërtimi, kundër një ekipi të Bayernit me një bërthamë të qëndrueshme. Fokusi te lojtarët e rinj sulmues është fajësuar gjithashtu për dështimin e vazhdueshëm të Dortmundit në repartin e mbrojtjes vitet e fundit, veçanërisht në momentet e mëdha. Dukej sikur Dortmundi mund të kishte shfrytëzuar një tjetër shans pas humbjes së Bayernit 4:2 në fillim të këtij muaji, por gjithçka u shkatërrua kur gabimet e portierit Gregor Kobel dhe repartit të mbrojtjes i mundësuan Stuttgartit të sigurojë një barazim 3:3 edhe pse ishte me vetëm 10 lojtarë. Megjithatë, këtë sezon në Bundesligë është bërë zakon që Dortmundi të rrëshqasë herë pas here, por Bayerni po prek nivele të reja të ulëta. Që nga emërimi i papritur muajin e kaluar për të zëvendësuar Julian Nagelsmann si trajner i Bayernit, Thomas Tuchel ka dy fitore, tri barazime dhe tri humbje. Ndeshja që i dha fund mbretërimit të Nagelsmann ishte humbja e tretë në 37 ndeshje këtë edicion.

Të dyja skuadrat kanë një fund relativisht të lehtë të sezonit, me tri ndeshje në shtëpi. Ndeshja e radhës e Dortmundit është kundër rivalit tradicional, Bochumit, përpara se të përballet me Mainzin, i cili mposhti Bayernin. Ndërkohë Bayerni do të luajë me skuadrat e dy vendeve të fundit - Herthan dhe Schalken - por këto skuadra do të luftojnë fort për të shmangur rënien. Ndeshja e parafundit e Bayernit në shtëpi kundër Leipzigut më 20 maj mund të jetë vendimtare.