Dortmund, 16 gusht (AP) - Borussia Dortmund e ka pasur verën për të menduar se si e humbi shansin për ta rrëzuar nga froni Bayern Munichun. Tani Dortmundi duhet t'i bëjë të gjitha përsëri - këtë herë pa yllin Jude Bellingham. Barazimi 2:2 me Mainzin në xhiron e fundit të edicionit të kaluar, i shoqëruar me një fitore në fund të Bayernit ndaj Koelnit, ia dha titullin e Bundesligës ekipit bavarez dhe heshti turmën prej 81,000 shikuesish të tubuar në stadiumin “Sigal Iduna Park” të Dortmundit. Pas 11 titujve radhazi të Bayernit, Bundesliga ka më shumë nevojë për një Dortmund të fortë sesa për një Bayern, veçanërisht në aspektin e marketingut të ligës për audiencën e huaj. Shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, i cili gjithashtu ka një rol të lartë në ligën, pranon se klubi mban një përgjegjësi jo vetëm për tifozët e tij, por për garën në tërësi.
“Ne e dimë përgjegjësinë tonë, por është gjithashtu e rëndësishme t'u themi të gjithëve se nuk është aq e lehtë të sfidosh Bayernin”, tha ai, duke theksuar se Bayerni mund të përballojë të shpenzojë shumë më tepër për lojtarë sesa Dortmundi. “Në maj ishte një fatkeqësi për ne, pasi në ndeshjen e fundit e humbën titullin në minutën e 89-të, por për Bundesligën ishte një sezon fantastik. Ishte shumë emocionues”.
Dështimi i edicionit të kaluar ishte një fund zhgënjyes i një sfide të fortë të Dortmundit të udhëhequr nga mesfushori Bellingham dhe sulmuesi Sebastien Haller, i cili u kthye pas kurimit nga kanceri. Megjithatë, ajo goditje për titull kërkonte një varg gabimesh të Bayernit gjithashtu. Bayerni javë më parë ka nënshkruar me kapitenin e Anglisë, Harry Kane në një marrëveshje që thuhet se mund të arrijë më shumë se 100 milionë euro, por ylli anglez i Dortmundit, Bellingham, u largua për në Real Madrid në qershor për një 103 milionë euro, shumë kjo që mund të rritet në më shumë se 130 milionë euro me bonuse. Bellingham është i fundit nga një varg yjesh të rinj të Dortmundit që kalojnë në klube më të mëdha, pas atyre si Erling Haaland, Jadon Sancho dhe Christian Pulishiq. Megjithatë, Dortmundi ka lojtarë të tjerë të rinj, në të cilët do të mbështetet në edicionin 2023/24, që nis të premten.
Yjet e rinj të fundit përfshijnë anësorin Karim Adeyemi, sulmuesin Youssoufa Moukoko dhe mesfushorin ofensiv, Gio Reyna. Të gjithë pritet të rriten këtë edicion. Paratë nga shitja e Bellinghamit janë investuar për të shtuar thellësinë me Marcel Sabitzerin dhe Felix Nmechan. Një tjetër boshllëk u hap kur kontrata e mbrojtësit të majtë të Dortmundit, Raphael Guerreiro skadoi dhe ai u largua për t'iu bashkuar Bayernit si lojtar i lirë. Klubi ka nënshkruar me Ramy Bensebaini për ta zëvendësuar atë. Turneu parasezonal i Dortmundit në SHBA solli një fitore solide 3:2 ndaj Manchester United në Las Vegas dhe një barazim 1:1 me Chelsean në Chicago. Dortmundi e nis kampanjën në Bundesligë më 19 gusht kundër Koelnit, humbja e të cilit sezonin e kaluar e ndihmoi Bayernin ta rrëmbej titullin. Watzke tha në ditët pasi klubi i tij dështoi në sfidën për titull, ai u kontaktua nga zyrtarë të futbollit nga e gjithë Evropa që ishin tejet të entuziazmuar për dramën që sfida mes Bayernit dhe Dortmundit solli në ligë.
“Të gjithë e kanë parë xhiron e fundit dhe kanë folur për të”, tha ai. “Për këtë, ishte një finale fantastike në Bundesligë dhe shpresoj që ne të jemi në gjendje të bëjmë të njëjtën gjë në këtë vit, ndoshta me një fund më të mirë”.