Sport

Bellinghami i jep Anglisë arsye për shpresë para Kampionatit Botëror

Përfaqësuesja e Anglisë do të shkojë në Kampionatin Botëror me një seri prej gjashtë ndeshjeve pa fitore, që është më e gjata përpara një turneu të madh. Megjithatë, paraqitja e mirë e mesfushorit Jude Bellingham kundër Gjermanisë i jep shpresa Anglisë se mund të bëjë diçka më shumë në Botërorin e Katarit që nis në fund të muajit nëntor.

Anglia nuk mori më shumë se barazim 3:3 të hënën mbrëma në shtëpi ndaj Gjermanisë, në ndeshjen e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Anglia përfundoi e fundit në grup dhe në edicionin e ri të kësaj gare do të paraqitet në Ligën, përkatësisht në nivelin e dytë.

Me vetëm 19 vjet, Bellingham shkoi përpara për ta ndihmuar ekipin që ta rikthejë rezultatin nga disavantazhi 2:0 në 3:2. Këtë Anglia e arriti brenda 12 minutave në pjesën e dytë. Ishte Bellingham ai që nisi të gjitha aksionet e golave të Anglisë. Ai fillimisht kontribuoi në golin e parë të cilin e shënoi Luke Shaw. Ishte i pari për ekipin e Gareth Southgatet nga loja e hapur pas më shumë se 520 minutave lojë. Bellingham, po ashtu, e siguroi penalltinë të cilën e realizoi Harry Kane. Megjithatë, Anglia nuk arriti ta mbajë epërsinë për ta fituar ndeshjen pasi Kai Havertz shënoi për Gjermaninë në fund për rezultatin 3:3.

“Mendoj se gjëja më e mirë në këto ndeshje të Ligës së Kombeve në ekipin tonë ka qenë paraqitja e Bellinghamit. Ai dëshmoi se ka mentalitet për të luajtur në nivelin më të lartë. Teknikisht është shumë i aftë dhe mund ta bëjë dallimin në fushë. Do të jetë një aset shtesë për ekipin tonë në Kampionatin Botëror”, pranoi përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate.

Bellingham ishte në skuadrën e Anglisë që arriti në finalen e Evropianit që u mbajt vitin e shkuar. Kjo ishte finalja e parë për Anglinë në një turne të madh pas 55 vjetësh, ndonëse Bellingham kaloi pak kohë në fushë. Kritikët e Southgatet kanë vënë në dukje një kokëfortësi dhe besnikëri të tij ndaj lojtarëve që kanë performuar për të në të kaluarën. Ky besim rezultoi i gabuar në përzgjedhjen e Harry Maguiret, i cili ishte fajtori kryesor për dy golat e parë të Gjermanisë, edhe pse kapiteni i Manchester Unitedit më nuk është titullar në ekipin e tij. Bellingham gjithashtu mund të kishte vuajtur nga besnikëria e Southgate ndaj dyshes së mesfushës Declan Rice dhe Kalvin Phillips, të cilët u bashkuan për të pasur një efekt të madh në “Euro 2020”. Megjithatë, një dëmtim i shpatullës i Phillipsit që mund ta përjashtojë mesfushorin e Manchester Cityt nga Kupa e Botës në Katar, i dha Bellinghamit një mundësi në stadiumin “Wembley” ndaj Gjermanisë, të cilën ai e shfrytëzoi plotësisht.

Një talent i madh, Bellingham, bëri debutimin për ekipin e parë të Birminghamit në moshën 16-vjeçare. Klubi i tij i fëmijërisë u tall për tërheqjen e fanellës me numrin 22, kur ai u largua nga ekipi pas vetëm një sezoni në ekipin e parë. Pavarësisht interesimit nga Manchester Unitedi, ai zgjodhi Borussia Dortmundin për shkak të reputacionit të gjigantit gjerman për zhvillimin e talentëve. Tani në sezonin e tretë në Bundesligë, spekulimet për një transferim të mundshëm tek Unitedi, Manchester City apo Liverpooli po qarkullojnë sërish. Në garë për mesfushorin anglez është edhe Real Madridi, ndërsa Dortmundi për ta lënë të lirë verën e ardhshme po kërkon të paktën 100 milionë euro.

“Mbeta i impresionuar kur ai ishte 17 vjeç, imagjinoni tani ai është 19- vjeçar”, tha trajneri i Cityt, Pep Guardiola, pasi Bellingham shënoi kundër skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve për herë të dytë në fillim të këtij muaji. "Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Unë mendoj se të gjithë e dinë këtë”.

Southgate ripohoi pas ndeshjes se është i përgatitur për t’i dhënë Bellinghamit mundësinë për të luajtur në Kampionatin Botëror. Madje, gjasat janë të mëdha që ai të jetë titullar në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, që Anglia e luan më 21 nëntor kundër Iranit. Anglia do të paraqitet në Grupin B, ndërsa do të përballet edhe me SHBA-në e Uellsin.

“Unë dua të besoj se Anglia në Botëror do të ndërtojë gjithçka rreth Jude Bellinghamit”, shkroi në Twitter ish-mesfushori i Anglisë, Jermaine Jenas.