Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bekim Isufi mohon spekulimet për largim nga Drita

Trajneri i Dritës, Bekim Isufi, e ka mohuar çdo spekulim për një largim të tij nga skuadra “Bardhekaltër” dhe ka thënë se me skuadrën ka dy vjet e gjysmë kontratë.

Trajneri Isufi mund të cilësohet si trajneri më i suksesshëm i kësaj skuadre, pasi edicionin që e lamë pas, e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të parë në elitën e futbollit tonë, pas 15 vjetësh, raporton KTV.

Isufi, në fakt, e nisi stinorin e kaluar në krye të Vllaznisë së Pozheranit, ku qëndroi për tetë xhiro, pushoi 6 javë dhe e mori drejtimin e Dritës në javën e 15-të, ku debutoi me fitore, 4:3 ndaj Lirisë.

Ishte i pamposhtur për 19 ndeshje, ndërsa Drita bëri rekord, pasi nuk dinte për humbje që nga java e katërt, me rekord prej 29 takimeve pa humbje për sezonin e shkuar.

Në Ligën e Kampionëve, e fitoi miniturneun në Gjibraltar dhe bëri historinë, duke u kualifikuar në rundin e parë të Ligës së Kampionëve, ku më pas u mposht nga Malmo.

Para fillimit të kampionatit, Drita do ta zhvillojë Superkupën e Kosovës kundër Prishtinës më 13 gusht në ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.