Vetëm disa javë pas marrëveshjes së normalizimit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, investitori i Emirateve, sheiku Hamad Bin Khalifa Al Nahyan, ka blerë 50 për qind të aksioneve në ekipin e Premier Leagues izraelite, Beitar Jerusalem, përcjell DW. Sheiku Khalifa al-Nahyan synon të investojë rreth 90 milionë dollarë në klub gjatë dekadës së ardhshme, në përpjekje për ta arritur një sukses më të madh në fushë dhe për ta riparuar imazhin e klubit, i cili ka pësuar rënie në reputacionin e tij për shkak të një grupi tifozësh ekstremistësh të djathtë.
Beitar Jerusalemi është klubi i vetëm profesional në Izrael që nuk e ka pasur asnjëherë në radhët e veta një lojtar mysliman arab me grupin dominues të tifozëve “La Familia”, që u bë i njohur në vitet e fundit si një nga organizatat më famëkeqe të krahut të djathtë, si në stadium ashtu edhe në rrugë. Politikanët e krahut të djathtë në Izrael shpesh marrin pjesë në ndeshjet e klubit si pjesë e fushatave të tyre zgjedhore.
Në mënyrë të pashmangshme, raportet e investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Beitar hasën në kundërshtim. Grafitet islamofobe u gjetën pranë stadiumit “Teddy Stadium” në Jerusalem, duke kërkuar që Beitari të mbetet “i pastër nga arabët”, me etiketat e nënshkruara me inicialet L.F. Një anëtar i grupit “La Familia” është arrestuar gjithashtu nën dyshimin për grafitet kërcënuese ndaj bashkëpronarit të Beitarit, Moshe Hogeg. Por, mbështetja e Beitar Jerusalemit përbëhet nga më shumë sesa grupi i tifozëve “La Familia”. Beitari është një nga klubet më të mëdha të Izraelit, me gjashtë tituj kampioni dhe me një frekuentim deri në 11 mijë tifozë në ndeshjet si vendas para pandemisë. Tifozët e Beitarit vijnë nga shumë qytete të ndryshme dhe, për ironinë e fatit, shumë prej tyre janë Mizrahis, hebrenj me origjinë arabe të cilët kanë vuajtur nga diskriminimi sistematik brenda Izraelit. Shumë prej tyre reaguan nëpër mediat sociale për ta përgëzuar klubin rreth marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, me shpresën se ajo do të sjellë sukses sportiv. Në komente ata i bënë thirrje klubit të godasë grupin e tifozëve “La Familia”.
“Ne jemi lodhur prej tyre!”, shkroi njëri.

Ngritja e zërit nga tifozët anti-racistë
Edhe
Tifozët izraelitë mirëpresin marrjen në pronësi nga arabët të klubit kontrovers të futbollit
Konflikti midis të dy palëve arriti kulmin e tij kur anëtarët e grupit “La Familia” sulmuan mbështetësit promarrëveshjes në seancën e parë të hapur të stërvitjes pas njoftimit se në klub do të ketë investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Pesë tifozë u arrestuan.
“Nuk është sekret që ka një pakicë të vogël raciste midis tifozëve tanë, por ne nuk kemi frikë prej tyre”, tha bashkëpronari i Beitarit, Hogeg. “Mesazhi ynë është që të gjithë jemi të barabartë. Ne duam t'u tregojmë fëmijëve të vegjël se mund të punojmë dhe të bëjmë gjëra të bukura së bashku”.
Liel Chavilio, 27-vjeçare, është tifoze e flaktë e Beitarit. Ajo mendon se është koha që tifozët anti-racistë të klubit ta ngrenë zërin e tyre dhe të bëjnë diçka në lidhje me tendencat raciste midis mbështetësve të klubit.
“Ne kemi qenë gjithmonë këtu dhe jemi po aq ultras dhe po aq fanatikë ndaj Beitarit sa tifo-grupi ‘La Familia’. Ne jemi këtu për t'i bërë zërat tanë të dëgjuar dhe për ta mbështetur klubin tonë”, tha ajo.
Duke folur për konfliktin më të fundit brenda mbështetësve të Beitarit, Chavilio vlerësoi shumë tifozët e shprehur kundër tendencave raciste “La Familia”.
“Mjaft më! Shumica e heshtur nuk është më e heshtur. Beitari është shumë më i madh sesa ky grup i vogël njerëzish”, insistoi Chavilio.
Nuk është hera e parë që ka shpërthyer konflikt midis “La Familias” dhe elementeve anti-raciste brenda mbështetjes së Beitarit. Në vitin 2012, pronari i atëhershëm, Arkadi Gaydamak, transferoi dy lojtarë çeçenë myslimanë, me synimin që, siç tha ai, “t'ia tregonte shoqërisë izraelite fytyrën e tij të vërtetë”.
Kjo fytyrë u zbulua kur tribuna lindore e Beitarit, shtëpia e tifozëve të zjarrtë, përfshirë anëtarët e tifo-grupit “La Familia”, filloi të zbrazet pasi një nga lojtarët çeçenë shënoi gol. Historia u bë subjekt i dokumentarit fitues të çmimeve të Maya Zinshteinit. Në atë kohë, “La Familia” doli në krye duke shtyrë disa tifozë të Beitarit të krijojnë ekipin Beitar Nordia, një klub të ri në divizionin e pestë të Izraelit. Klubi aktualisht luan në nivelin e tretë.
Por, tifozja e Beitarit, Chavilio, beson se kjo kohë është tjetër, me investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe që premtojnë sukses në fushë dhe tifozët anti-racistë të organizuar më mirë jashtë saj.
“Nëse ne fillojmë të performojmë mirë, zërat racistë do të bëhen gjithnjë e më të heshtur”, thotë ajo.
Edhe
Lufta për ndryshimin e klubit më racist në Izrael, Beitar Jerusalem
Ndryshimet e shpeshta të kryesisë dhe zhgënjimi
Mirëpo adhuruesit e Beitar Jerusalemit kanë dëgjuar premtime të tilla më parë, për të përfunduar plotësisht të zhgënjyer. Në të vërtetë, historia e fundit e klubit është e ngjashme me një manual “se si të mos drejtohet një klub futbolli”. Nën lidershipin e Gaydamakut, një miliarder izraelit-rus që bleu klubin në vitin 2005, Beitari i fitoi dy tituj kampioni dhe dy kupa izraelite. Mirëpo, pas këtij suksesi, Gaydamaku vendosi të kandidonte për kryebashkiak të Jerusalemit. Por, pasi mori vetëm 3 për qind të votave në zgjedhjet për kryebashkiak, zvogëloi investimin e tij në Beitar, duke rezultuar në rënie sportive dhe protesta të tifozëve.

Guma Aguilar, një milioner amerikano-brazilian, shpëtoi falimentimin e klubit në vitin 2009 dhe tha se do të donte ta blinte klubin nga Gaydamaku. Më vonë doli se Aguilar vuante nga çështje të shëndetit mendor. Ai është shpallur “legalisht i vdekur” që nga zhdukja e tij në Miami në vitin 2015. Kohët e fundit, biznesmenët amerikanë Dan Adler dhe Adam Levin shprehën interesim për ta blerë Beitar Jerusalemin në vitin 2011. Me marrëveshjen që ishte në prag të vulosjes, klubi që ishte në telashe financiare e priti dyshen e biznesmenëve amerikanë në fushën e stërvitjeve. Mirëpo, ata më pas u tërhoqën papritur nga marrëveshja dhe u zhdukën, por jo para se të “merrnin rezervat e mallrave” nga dyqani i klubit, sipas raporteve.
Të detyruar të besojnë
“Zemra juaj është thyer përsëri dhe përsëri si një tifoz i Beitarit, por ju vazhdoni të besoni sepse jeni të detyruar”, pranon Yaakov Lipshitz, 25-vjeçar, i cili ka marrë pjesë në ndeshjet e klubit që nga mosha gjashtë vjeçe.
“Kur dëgjova që biznesmenët amerikanë po na e blinin klubin, kishte lot lumturie që koha e Gaydamakut në klub kishte mbaruar më në fund. Pastaj ata thjesht u zhdukën”.
Sa i përket të ardhmes, të dy tifozët, si Lipshitz ashtu edhe Chavilio, insistojnë se do ta përkrahin fuqishëm marrëveshjen e sheikut nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shpresojnë për një të ardhme më të mirë për klubin e tyre të trazuar.
“Ekstremistët nuk do të binden kurrë”, thotë Lipschitz. “Por, 90 për qind të tjerë do të jenë të lumtur nëse klubi ka rezultate të mira, pa marrë parasysh se nga vijnë paratë. Ne shpresojmë se sheiku do ta mbajë premtimin e tij dhe do t’i investojë 90 milionë euro te Beitar Jerusalemi. Nëse bëhet një gjë të tillë, atëherë mund të kemi sukses edhe në garat evropiane”.
Edhe 27-vjeçarja Chavilio shpreh ndjenja të ngjashme.
“Si një tifoze e Beitarit, gjithmonë ka një shkallë shqetësimi për të ardhmen. Por, unë besoj se tani jemi në rrugën e duhur, sidomos me ardhjen e pronarit të ri”.
Edhe
West Hami u kërkon tifozëve t’i ndalojnë thirrjet që përmbajnë “mesazh anti-Palestinë”
Po ashtu, tifozët që përkrahin marrëveshjen nuk kanë asgjë kundër nëse klubi i tyre i zemrës, Beitar Jerusalemi, angazhon në radhët e veta lojtarë myslimanë arabë duke e thyer traditën.
“Besoj se tash e tutje do të jemi klub i hapur për të gjithë”, insistoi Lipschitz.