Tifozët e një klubi të futbollit nga Izraeli, të lidhur prej kohësh me racizmin anti-arab, u mblodhën të premten në një shfaqje mbështetjeje për blerjen e një pjese të organizatës nga një biznesmen i Emirateve të Bashkuara Arabe. Në fakt, tifozët izraelitë blerjen e klubit nga një arab e mirëpritën dhe e vlerësojnë shenjë ndryshimi, përkundër që një numër i vogël i tifozëve protestuan ndaj kësaj lëvizjeje.
Beitar Jerusalemi është i vetmi klub i madh i futbollit nga Izraeli që në radhët e veta nuk ka pasur kurrë një lojtar arab, dhe tifozët e tij flaktë kanë një histori të brohoritjeve raciste kundër arabëve. Arabët përbëjnë 20 për qind të popullsisë së Izraelit. Lojtarët arabë luajnë në ekipe rivale dhe në Përfaqësuesen e Izraelit, por jo edhe për Beitar Jerusalemin. Më shumë se 100 tifozë u mblodhën për të treguar mbështetjen e tyre për pronarin e ri, ndërsa disa qindra të tjerë - të mbledhur në grupin “La Familia” - protestuan kundër tij për shkak të prejardhjes arabe. Policia izraelite njoftoi se katër persona u arrestuan të premten për shkak të “konfrontimeve”, pa dhënë hollësi shtesë.
Sheiku Hamad bin Khalifa Al Nahyan, një anëtar i familjes me pushtet në Abu Dhabi, kohët e fundit bleu 50 për qind të aksioneve te Beitar Jerusalemi dhe u zotua se do të shpenzojë në ekip hiq më pak se 90 milionë dollarë në dekadën e ardhshme. Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht Abu Dhabi dhe Dubai, në fillim të këtij viti i normalizuan lidhjet me Izraelin. Sheiku arab dhe partneri i tij izraelit, Moshe Hogeg, janë zotuar se do ta transformojnë ekipin e Beitarit në një model të bashkëjetesës dhe kanë thënë se klubi do të jetë i hapur për të shtuar lojtarë arabë në listë. Një gjë e tillë do ta bënte Beitar Jerusalemin ekipin e fundit në Izrael që do të integronte arabët.
Netanel Avraham, një nga tifozët që u mblodhën në stadium, derisa ekipi po stërvitej, për të mbështetur lëvizjen, tha se ishte i lumtur për të mirëpritur pronarin e ri. Madje ai shtoi se me pronarin arab, te Beitar Jerusalemi mund të ëndërrojnë për suksese më të mëdha. Beitari ka shtatë tituj të kampionit në Izrael kurse të fundit e ka fituar në edicionin 2007/08.
“Shpresojmë se me ardhjen e tij në klub, do të vijnë edhe sukseset pasi ka më shumë se një dekadë që nuk kemi fituar trofe”, u shpreh ai. “Unë dua që të dihet se Beitari nuk është një ekip racist dhe besoj se me ardhjen e pronarit të ri, kjo njollë me të cilën është identifikuar klubi të largohet njëherë e përgjithmonë”.
Beitar Jerusalemi, i lidhur ngushtë me partinë “Likud” të kryeministrit Benjamin Netanyahu, është një nga klubet më të famshme të vendit, me 13 trofe të fituar, dhe llogarit presidentët dhe kryeministrat izraelitë në mesin e tifozëve të flaktë. Mirëpo, klubi ka tërhequr edhe vëmendje negative për shkak të qasjes që të mos ketë lojtarë arabë në radhët e veta. Zyrtarët e klubit kanë thënë në të kaluarën se duart e tyre ishin të lidhura nga një bazë e tifozëve të fortë që kishin ndikim të rëndësishëm mbi vendimet e klubit.
Edhe
Beitar Jerusalemi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe: Kur përplasen futbolli, identiteti dhe politika
Grupimi “La Familia”, ka qenë i njohur për “brohoritjet si majmunë” kur një lojtar i një ekipi kundërshtar nga Afrika prekte topin gjatë ndeshjes. Pjesëtarët e këtij grupi brohorisnin edhe “vdekje ndaj arabëve” kur ekipet kundërshtare kishin në formacion lojtarë arabë. Pronarët Hogeg dhe Al Nahyan kanë thënë se një sjellje e tillë nuk do të tolerohet tash e tutje te Beitar Jerusalemi që do të jetë një shembull për të gjithë. Hogeg, një investitor izraelit i teknologjisë së lartë dhe kriptomonedhave, tha se ka ndërmarrë hapa kundër racizmit qëkur e bleu Beitarin para dy vjetësh.
“Nuk do të ketë tolerime për askënd. Ne do të dëshmojmë se nuk jemi klub racist. Madje me përgjegjësi të plotë mund të them se në ekipet e reja, ne tashmë kemi lojtarë arabë si dhe futbolliste arabe në skuadrën e femrave. Shumë shpejt edhe ekipi i parë do të përbëhet nga lojtarët arabë”, insistoi Hogeg.