Newcastle po ëndërron për lavdinë e Premier Leagues pasi konsorciumi i udhëhequr nga Arabia Saudite e ka marrë klubin në pronësi dhe ka paralajmëruar planet “ambicioze” për të ardhmen. Por, “Amnesty International” e quajti marrëveshjen një “goditje të hidhur për mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.
Mijëra mbështetës të gëzuar u mblodhën në stadiumin “St James Park” të Newcastlet pasi u arrit marrëveshja e blerjes prej 300 milionë eurosh, duke brohoritur “ne e kemi kthyer klubin tonë”.
Blerja u vulos nga Premier League të enjten, pasi mori garanci ligjërisht detyruese se Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, i cili ka 80 për qind të aksioneve në klub, nuk vepronte në emër të Qeverisë së Mbretërisë. Marrja e klubit anglez nga pronarët sauditë i jep fund sundimit 14-vjeçar të Mike Ashleyt, pronarit të papëlqyeshëm nga tifozët e zjarrtë të Newcastle.
“Është e mrekullueshme për qytetin. Është absolutisht shkëlqyese. Ata kanë çështje për të drejtat e njeriut. Të gjithë e dinë këtë, por ne kemi pasur nevojë që dikush i pasur ta blinte klubin tonë”, ka thënë Justin Cowman njëri prej ish-punonjësve të Newcastlet. “Kishim nevojë të bëhemi fuqi e futbollit anglez. Klubi, qyteti, janë lënë shumë herë në baltë, por tani nuk do të ndodhë. Ne jemi një gjigant i fjetur dhe është koha të zgjohemi nga gjumi. Është bukur për klubin dhe për rajonin. Të gjithë janë të lumtur me ardhjen e pronarit të ri”.
Luke Watson, 29 vjeç, një tifoz tjetër i klubit, gjithashtu përshëndeti marrjen e Newcastlet në pronësi nga sauditët.
Edhe
Pas kthimit në Champions, Newcastle synon suksese në Evropë dhe Premier League
“Jam shumë i lumtur ndonëse gjithçka ende po më duket joreale. Tani ne kemi dikë që dëshiron të investojë në klub dhe ta çojë klubin drejt majës”, tha ai.
Kryetari i ri i Newcastlet, Yasir Al-Rumayyan, nxiti emocionet e tifozëve me një letër të hapur, duke premtuar se do të ofrojë një ekip për të cilin mund të jenë krenarë të gjithë.
“Më e rëndësishmja është se ju mund të prisni ambicie. Ashtu si ju, ne duam të krijojmë një ekip që do të jetë vazhdimisht i suksesshëm. Ne jemi këtu për të ndërtuar sukses afatgjatë për klubin”, shkroi ai në letrën e publikuar të premten. “Zotërimi i këtij klubi nuk është një përgjegjësi e lehtë për ne, por një nder. Ne e kemi parasysh se çka do të thotë të jesh pjesë e Newcastle Unitedit”.
Newcastle, që këtë sezon zë vendin e parafundit në tabelë pa asnjë fitore në shtatë ndeshje, është një nga klubet më të mbështetura në elitën e futbollit anglez. Në mënyrë rutinore tifozët e mbushin stadiumin “St James Park”, që ka kapacitet prej 52 mijë ulëseve, por Newcastle nuk ka fituar trofe të madh që nga viti 1969.
Pronarët e rinj të klubit shpresojnë të ndjekin modelin e kampionit në fuqi të Premier Leagues, Manchester City, që është bërë fitues serik i trofeve që nga viti 2008 kur u fut në pronësi të Sheikut Mansour, një anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabit. Drejtoresha e re e Newcastles, Amanda Staveley, një forcë shtytëse pas blerjes, u zotua se do ta shndërrojë klubin në kampion të Premier Leagues në afat të gjatë.
Edhe
Rritja e Newcastlet po nxitet nga trajneri i fiksuar dhe paratë saudite
“Sigurisht që kemi të njëjtat ambicie si Manchester City dhe PSG-ja për sa i përket trofeve, por kjo do të marrë kohë", tha Staveley për Daily Mail. A duam të fitojmë Premier Leaguen brenda pesë deri në dhjetë vjet? Po. Ne duam të shohim trofe. Por, trofetë kanë nevojë për investime, kohë, durim dhe punë ekipore”, insistoi ajo.
Staveley tha se ka folur edhe me trajnerin aktual, Steve Bruce, por shtoi se ende nuk është marrë një vendim i mundshëm për të ardhmen e tij, ndonëse gjasat janë të mëdha që ai të largohet. Bruce pranoi se dëshiron të vazhdojë punën e tij te Newcastle, por e di se mund të zëvendësohet me ardhjen e pronarit të ri.
“Unë dua të punoj por të ardhmes tani nuk i dihet. Gjërat do të ndryshojnë në klub edhe pse ende askush nuk më ka thënë asgjë”, tha Bruce.
Me gjithë gëzimin e tifozëve, marrëveshja për marrjen e klubit anglez u prit me shqetësim nga “Amnesty International”, që e përshkroi atë si “një goditje jashtëzakonisht e hidhur për mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.
Sacha Deshmukh, kreu i organizatës për Britaninë e Madhe, tha: “Ne mund ta kuptojmë se kjo do të shihet si një ditë e shkëlqyer nga shumë tifozë të Newcastle Unitedit, por është gjithashtu një ditë shumë shqetësuese për këdo që kujdeset për pronësinë e klubeve të futbollit anglez, pasi klubet po përdoren për të mbuluar abuzimin e të drejtave të njeriut”.
Edhe
Me tri blerje, Newcastle nuk ka synime të mëdha
Arabia Saudite u përball me dënimin ndërkombëtar pas vrasjes brutale të disidentit saudit, Jamal Khashoggi, në Konsullatën e Mbretërisë në Stamboll tre vjet më parë. Hatice Cengiz, e fejuara e Khashoggit, tha se marrja nën kontroll e Newcastlet nga Arabia Saudite ishte “zemërthyese”.
“Jam shumë e zhgënjyer. Ajo që kam bërë që nga vrasja e tij është të kërkoj drejtësi për Jamalin çdo ditë, çdo shans që kam gjetur ose çdo vend ku mund të shkoj dhe të kërkoj më shumë. Pastaj papritmas, pashë lajmet dhe njerëzit po flisnin për marrjen e klubit anglez”, tha ajo.