Bayerni do ta mbyllë xhiron e 19-të të Bundesligës, kur të dielën nga ora 17:30 luan në udhëtim te Wolfsburgu.
Bavarezët para se të niste Kampionati Botëror në Katar kishin formë të shkëlqyer duke fituar dhjetë ndeshje rresht në të gjitha garat.
Pas Botërorit, bavarezët ndalën hovin.
Nuk kanë marrë asnjë fitore në Bundesligë në vitin 2023.
E vetmja fitore në këtë vit për Bayern Munichun ishte ajo 4:0 në Kupën e Gjermanisë. Bayerni e eliminoi Mainzin në 1/8 e finales, më 1 shkurt.
Për shkak të tri barazimeve të Bayernit në vitin 2023, diferenca e pikëve në krye të tabelës është shumë e vogël.
Bayerni është i pari me 37 pikë, ndërsa skuadra e vendit të dytë, Union Berlini, ka një pikë më pak.
Leipzigu ka 35 pikë në vendin e tretë, ndërsa Dortmundi e Freiburgu në vendet katër e pesë kanë nga 34 pikë.
Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, u nda i kënaqur me fitoren ndaj Mainzit. Tha se skuadra e tij ishte agresive.
Të njëjtën qasje, Nagelsmann e kërkon nga futbollistët edhe të dielën në duelin ndaj Wolfsburgut.
Wolfsburgu në 13 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm dy disfata.
Njëra ishte nga Werder Bremeni në udhëtim, 2:1, dhe një tjetër kur u eliminua nga Kupa e Gjermanisë me të njëjtin rezultat, nga Union Berlini.
Union Berlini luan kundër Mainzit në shtëpi, të shtunën nga ora 15:30.
Ndërkohë, Leipzigu, është një tjetër skuadër në formë të mirë. Ka seri prej nëntë fitoreve në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Leipzigu, që është i pamposhtur në 17 ndeshje, luan në udhëtim te Koelni, të shtunën nga ora 15:30.