Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Batatina paralajmëron ankesë në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka paralajmëruar ankesë edhe në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai vlerëson se e drejta është në anënë e Llapit.

Komisioni për Ankesa i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka hedhur poshtë ankesën e Llapit dhe ka vërtetuar vendimin e Komisionit të Garave. Kësisoj, ndeshja Malisheva – Llapi është regjistruar me rezultatin e arritur në fushë. Fitorja i takoi Malishevës me rezultatin 2:1.

Llapi kishte kërkuar pikët e plota nga ndeshja me Malishevën, pasi pretendonin se Rilind Haziraj ishte inkuadruar pa të drejtë loje. Komisioni i Garave e kishte hedhur poshtë kërkesën si të “paafatshme”.

Por skuadra llapjanë kishte thënë se ankesa ishte bërë me kohë. Megjithatë, Komisioni për Ankesa i ka dhënë të drejtë Komisionit të Garave. “Ne nuk do të ndalemi deri te instanca e fundit, sepse kjo është padrejtësi dhe shkelje e normave të garave duke mos respektuar rregulloren. Komisioni nuk veproi në bazë të rregullores së FFK-së, por ka rënë në ndikim të skuadrës rivale Ballkani. Kemi informata se presioni ka ardhur nga direkt nga Ballkani”, ka thënë Batatina për KOHËN të enjten.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas vendimit të shkallës së parë kishte akuzuar Ballkanin se ka lidhje me vendimin. Llapi është në pozitën e dytë me 51 pikë, një pikë më pak se lideri Ballkani. Drita është në vendin e tretë me 50 pikë.