Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketbollistet amerikane e bënë më interesante ligën e femrave

Përforcimet nga SHBA-ja, që i kanë bërë ekipet e basketbollit Bashkimi dhe ProBet Prishtina në Ligën e Femrave tërhoqën interesim të madh në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit.

Bashkimi para fillimit të pjesës pranverore ka angazhuar amerikanet Khadija Browon-Haywood dhe Anastasia Williams që së fundi kanë bërë karrierë në Meksikë derisa ProBet Prishtina ka marrë Monasia Bolduc nga NCAA, shkruan Koha.net.

Njëherit, këto janë amerikanet e para në basketbollin e femrave të Kosovës dhe përforcimet e vetme të huaja këtë edicion. Rreth 500 shikues e përcollën takimin mes dy skuadrave që dikur ishin rivale të përbetuara në basketbollin e Kosovës. Njëherit, ky mbetet numri më i madh i tifozëve tek femrat këtë edicion.

Organizimi i klubit prizrenas për këtë ndeshje ishte në nivel, pasi po ashtu për herë të parë janë mbajtur “live” edhe statistikat në një ndeshje kampionale të femrave.

“Interesimi për ndeshjen pas disa ndryshimeve që ka bërë Bashkimi ishte shumë i madh në krahasim me vitet e fundit. Kjo është mirë për basketbollin e femrave, pasi besoj që edhe ndeshja e fortë i ka mbajtur tifozët nën ethe deri në fund. Përgëzoj Bashkimin për organizim të ndeshjes dhe paraqitje në lojë”, ka thënë për Koha.net trajneri i ProBet Prishtinës, Fidan Shatri që është optimist se tifozët do të rikthehen nëpër ndeshjet e femrave. “Më vjen mirë që liga është bërë interesant”.

Derbin e javës së 11-ë të Ligës së Femrave, e fitoi skuadra e Bashkimit me shifrat 75:63 dhe njëherit ia shkaktoi ProBet Prishtinës që ishte kampione e vjeshtës, humbjen e dytë këtë edicion.

Amerikanet Brown-Haywood dhe Williams udhëhoqën Bashkimin drejt fitores së dytë rresht në pjesën pranverore. Brown-Haywood ishte lidere me 22 pikë e shtatë asistime e përcjellë nga Williams me “double-double” prej 17 pikëve e 18 kërcimeve. Te Prishtina më efikasja ishte Era Shatri me 20 pikë kurse amerikania Bolduc pati 16 kërcime.

Edhe Bashkimi sfidohet, por feston suksesin e madh në fund Sport Bashkimi sfidohet, por feston suksesin e madh në fund

Te Bashkimi kjo fitore ka dhënë sinjale pozitive se ekipi mund të rivalizoj ProBet Prishtinën dhe Penzën për titullin e kampionit, duke patur parasysh se këto ekipe në shtatë edicionet e fundit kanë ndarë mes vete të gjithë trofetë.

“Kjo fitore ka rritur edhe më shumë vetëbesimin te ekipi jonë që është konsoliduar muajin e shkuar. Mbi të gjitha, i gëzohem faktit se tifozët po rikthehen në basketbollin e femrave që ka patur nevojë për një përkrahje të tillë”, tha për Koha.net kryetari i Bashkimit, Rrahman Përteshi.

“Ne do të mundohemi të rivalizojmë ProBet Prishtinën dhe Penzën për titullin e kampionit dhe kjo bën që pranvera në basketbollin e femrave të jetë më interesant dhe më e nxehtë”, shtoi Përteshi.