Ndeshja e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Trepçës dhe Pejës nuk do të zhvillohet këtë vikend por në një termin tjetër, që do të caktohet më vonë, ka njoftuar të premten Federata e Basketbollit të Kosovës.
Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet të shtunën prej orës 14:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë por është shtyrë me kërkesën e Pejës pasi nuk ka pranuar rezultatet e testimeve për COVID-19. Te Peja të martën u konfirmuan dy raste të lojtarëve të infektuar me koronavirus, gjë që bëri të shtyhet ndeshja me Bashkimin, e paraparë të luhet të mërkurën.
Në fakt, në xhiron e katërt të luajtur në mesjavë, janë zhvilluar vetëm dy ndeshje pasi është shtyrë edhe dueli ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit për shkak të dyshimeve se ka të prekur me koronavirus te Prishtina.
Ndërkohë, xhiroja e pestë do të vazhdojë me tri ndeshjet e parapara. Të shtunën prej orës 16:00 do të luhet dueli ndërmjet Bashkimit dhe Rahovecit në Prizren, derisa të dielën do të zhvillohen dy ndeshje tjera. Ponte Prizreni e pret Sigal Prishtinën (13:30) derisa Ylli e pret Vëllaznimin (15:30).