Pas ndeshjeve evropiane të zhvilluara në mesjavë, në fundjavë vazhdon gara në Superligën e Kosovës në basketboll.
Xhiroja e katërt hapet me derbi të vërtetë.
Të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren përballen Bashkimi e Sigal Prishtina.
Bëhet fjalë për dy prej tri skuadrave të pamoshtura, që janë në krye të tabelës me nga gjashtë pikë.
Bashkimi i Prizrenit deri më tani ka fituar ndaj Vëllaznimit, Rahovecit 029 dhe ndaj Trepçës. Ndërkohë Prishtina ka fituar ndaj Yllit, ndaj Borës e ndaj Rahovecit 029.
Të dy skuadrat mund të jenë motivuar nga ndeshjet e mesjavës. Bashkimi vazhdoi me humbje në FIBA Europe Cup, por kishte paraqitje të barabartë me Dijonin francez. Pësoi vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave. Ndërkohë Prishtina e fitoi ndeshjen e tretë në ligën ndërkombëtare ENBL. E mposhti në Bratislavë të Sllovakisë skuadrën Slovan me rezultat 78:73.
Për të dy skuadrat derbi do të jetë test për forcën e vërtetë.
Të shtunën zhvillohet edhe një tjetër ndeshje interesante. Nga ora 19:00 në “Minatori” takohen Trepça e Golden Eagle Ylli. Kampionia në fuqi, Trepça, do të tentojë të reagojë pas tri humbjeve rresht në shtëpi, dy prej tyre në FIBA Europe Cup. Skuadra mitrovicase ka humbur gjashtë prej shtatë ndeshjeve garuese të këtij edicioni. Fitoren e vetme e ka ndaj Vëllaznimit në xhiron e dytë të Superligës.
Ylli i Suharekës në xhiron e parë u mposht nga Prishtina, e në të dytën nga GO+Peja. Fitoren e parë të edicionit e shënoi në xhiron e tretë, 84:82 ndaj Vëllaznimit në Suharekë.
Të dielën janë ndeshjet Peja – Rahoveci 029, që fillon në ora 17:00 dhe Vëllaznimi – Bora, që fillon në ora 19:00. Skuadrat vendase llogariten favorite, por mysafirët do të tentojnë të marrin fitore të vlefshme. Peja ka po ashtu tri fitore dhe fitoi ndeshje në ENBL në mesjavë. E mposhti në “Karagaçi” skuadrën bullgare, Spartak Pleven me rezultat bindës, 96:81.
Rahoveci e ka një fitore e dy humbje, kurse Bora e Vëllaznimi janë në kërkim të sukseseve të para të këtij edicioni.