Basketboll

Xhiroja nis me një derbi e përfundon me një tjetër

KB Trepça

Xhiroja e 18-të e Superligës së Kosovës në basketboll ofron top-ndeshje. Kjo xhiro fillon me një derbi dhe përfundon me një tjetër.

Bashkimi – Sigal Prishtina është ndeshja hapëse e javës së 18-të, ndërsa zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Bëhet fjalë për dy prej skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar. Por që kanë pasur formë jo stabile së fundmi.

Bashkimi është i dyti në tabelë me 28 pikë. Fundjavën e kaluar e humbi në Mitrovicë derbin nga Trepça me rezultatin 90:81. Kjo humbje bëri që prizrenasit të mbesin tri pikë prapa mitrovicasve në tabelë. Para ndeshjes me Trepçën, Bashkimi kishte fitore ndaj Rahovecit 029 e Vëllaznimit, ndërsa kishte humbur në shtëpi nga Bora më 10 janar.

Një tjetër dështim në shtëpi do të bënte që Bashkimi të ishte me gjasa dukshëm më të vogla për të luftuar për vendin e parë në tabelë.

Prishtina ka pasur edicion shumë të vështirë, brenda dhe jashtë parketit. Në tabelën e Superligës është vetëm në vendin e gjashtë me 25 pikë, përkatësisht me bilanc prej tetë fitore e plot nëntë humbje. Është kjo pozita e fundit që dërgon në plejof.

Prishtina fundjavën e kaluar fitoi në udhëtim ndaj Rahovecit 029, duke i dhënë fund serisë prej tri humbjeve kampionale.

Të shtunën prej orës 19:30 është ndeshja mes GO+ Pejës dhe Rahovecit 029. Të dy skuadrat janë në krizë rezultatesh, ndërsa te Peja ka edhe telashe të tjera. Peja është e katërta në tabelë me 25 pikë. Rahoveci 029 është i fundit me 22 pikë dhe një tjetër humbje do t’ua vështirësonte maksimalisht punët “vreshtarëve”.

Të dielën ndeshja e parë është mes Vëllaznimit dhe Borës. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 17:00.

Derisa Vëllaznimi synon fitore për t’i ikur fundit, Bora synon tjetër hap drejt sigurimit të plejofit. Bora është në seri prej katër fitoreve dhe mban vendin e tretë me 26 pikë. Vëllaznimi është i parafundit, përkatësisht i shtati me 22 pikë. Skuadra kuqezi ka humbur tri sfidat e fundit në kampionat.

Ndeshja që e mbyll xhiron është ajo mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit. Zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Minatori”.

Kampionia dhe liderja e klasifikimit, Trepça, e eliminoi Yllin në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Por suharekasit kishin fituar në Mitrovicë dhe do të kërkojnë tjetër befasi. Kjo megjithatë do të jetë sfiduese, marrë për bazë ecurinë pozitive të “xehetarëve”, që po ashtu kishin përkrahje shumë të madhe nga tifozët në ndeshjen e kaluar me Bashkimin. Për herë të parë palestra buzë lumit Ibër ishte e mbushur me shikues këtë edicion. Njëjtë pritet të jetë edhe të dielën mbrëma.

Derisa Trepça është shkëputur në vendin e parë me 31 pikë, Ylli është i pesti me 25 pikë. Suharekasit vazhdojnë të bëjnë ndryshime të shumta në përbërje në kërkim të suksesit.