Basketboll

Gara për ta shmangur rënien interesante si asnjëherë më parë

Scott  Ylli - Rahoveci

Trepça është shkëputur dy pikë nga përcjellësi i parë në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll. Ndërkohë tri skuadrat e fundit në tabelë kanë pikë të barabarta – nga 19.

Kjo dëshmon që gara për të shmangur rënien nga Superliga është shumë interesante, ndoshta si asnjëherë më parë.

Janë Golden Eagle Ylli, Vëllaznimi e Rahoveci 029 që i kanë nga 19 pikë në tri pozitat e fundit.

Ylli i Suharekës e synon titullin e kampionit, por pozita aktuale bën që kjo skuadër të jetë për momentin edhe në garë për të siguruar mbetjen në elitë. Vëllaznimi po ashtu synon plejofin, njëjtë si Rahoveci 029.

Vetëm një pikë më shumë ka Bora në vendin e pestë. Sigal Prishtina është e katërta me 21 pikë, ndërsa Go+ Peja e treta me 22. Bashkimi është i dyti me 23 pikë dhe Trepça e para me 25 pikë. Dallimi mes të dytit dhe të fundit është vetëm katër pikë, përkatësisht katër fitore.

Rrjedhimisht të gjitha skuadrat mund të jenë në plejof dhe po ashtu të gjitha rrezikojnë të përfundojnë në vendin e fundit dhe të largohen nga Superliga.

Vendi i tetë në fund të edicionit dërgon në kategorinë e dytë. Vendi i shtatë siguron ndeshjet e plejautit, ndërsa gjashtë pozitat e para sigurojnë plejofin.

Xhiroja e 14-të, e zhvilluar në fundjavë, pati ndikim të madh në garën për t’i ikur fundit. Bora e Prishtinës bëri befasi të madhe duke e mposhtur Bashkimin në Prizren. Vëllaznimi fitoi ndaj Pejës në Gjakovë, kurse Ylli e mposhti Rahovecin 029.

Me shumë peshë do të jetë edhe xhiroja e 15-të, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen të mërkurën e të enjten.

Të mërkurën prej orës 18:45 janë takimet Bora – Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi – Bashkimi. Si për Borën ashtu edhe për Rahovecin 029 fitorja do të kishte vlerë shumë të madhe. Njëjtë edhe për Vëllaznimin e po ashtu për Bashkimin. Prizrenasit synojnë të mbajnë hapin me Trepçën në garë për vendin e parë.

Të enjten, po prej orës 18:45, Trepça e pret GO+ Pejën, ndërsa derbi tjetër është mes Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës.

Skuadrat mund të ndryshojnë pozitat pas xhiros së 15-të, por gara do të mbetet plotësisht e hapur deri në fund të stinorit të rregullt. Deri më tani është zhvilluar vetëm gjysma e garës në pjesën e rregullt të Superligës.