Skuadra e Penzës ka mbrojtur titullin në Superligën e femrave në basketboll. Të premten mbrëma, Penza për sezonin e dytë rresht është shpallur kampione. Në palestrën "Karagaçi" në Pejë, Penza e ka mposhtur Prishtinën në ndeshjen e katërt të serisë finale me shifrat 79:62.
Me këtë triumf, Penza e ka fituar këtë seri me rezultatin e përgjithshëm 3:1.
Dy çerekët e parë të duelit të premten mbrëma, i takuan Prishtinës që krijoi epërsi deri në dhjetë pikë. Megjithatë, Penza bëri rikthim të madh në dy çerekët e fundit për ta mbrojtur titullin.
Hilarie Kaela me 28 pikë të shënuara dhe kapitenia Valbona Bytyqi me 20 sosh, ishin më të dalluarat te Penza. Ndërkohë, te Prishtina nuk mjaftuan 16 pikët e Sarah Mgbeike dhe 15 të Agnesa Rrahmanit për ta barazuar serinë finale.
Për Penzën, ky është trofeu i tretë këtë edicion pas Superkupës së Kosovës dhe asaj mbarëkombëtare.
Prishtina këtë sezon e mbyll me trofeun e Ligës Unike kurse Bashkimi e ka fituar Kupën e Kosovës.