Skuadra e Prishtinës është finalistja tjetër e Ligës Unike për basketbolliste.
Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “Final 4” të kësaj gare, Prishtina të hënën mbrëma në kryeqytet e mposhti skuadrën e Penzës me rezultat të thellë 74:57.
Në finale, Prishtina do të përballet me skuadrën e Bashkimit, kampionin në fuqi të Kosovës.
Për Prishtinën, kjo është hera e dytë që luan në finale të Ligës Unike, ndërsa e ka të fituar trofeun e edicionit të parë.
Ky është edicioni i tretë i Ligës Unike për basketbolliste, ndërsa “Final 4” po organizohet për herën e dytë në Prishtinë.
Në duelin ndaj Penzës, skuadra e Prishtinës dallimin e bëri në çerekun e parë dhe të katërt. Periudhën e parë, Prishtina e fitoi me shifrat 19:9, ndërsa të fundit 20:16 për fitoren e thellë.
Më efikaset te Prishtina ishin amerikanet Asianne Johnson me 18 pikë, 6 kërcime e 4 asistime dhe Jade Williams me 20 pikë e 8 kërcime.
Në anën tjetër, te Penza u veçuan Gayle Vingate me 19 pikë e 9 kërcime dhe Saranda Daci me 15 pikë e 6 kërcime.
Ndeshja finale mes Bashkimit dhe Prishtinës, do të luhet të martën prej orës 20:00 kurse prej orës 17:00 për vendin e tretë do të përballen Tirana me Penzën.