Sport

Bashkimi dhe Prishtina startojnë me fitore në Ligën Unike

Bashkimi dhe Prishtina e kanë nisur me fitore edicionin 2023/24 në Ligën Unike për basketbolliste.

Të dyja skuadrat luajtën të martën mbrëma, Bashkimi në Prizren kurse Prishtina në Tiranë. Përderisa Bashkimi shënoi fitore të thellë ndaj Flamurtarit të Vlorës, Prishtina e mposhti me rezultat të ngushtë kampionin në fuqi të Ligës Unike, Partizanin e Tiranës. Në duelin e luajtur në palestrën “Asllan Rusi” në Tiranë, Prishtina triumfoi me rezultatin 65:63.

Ndeshja gjatë tërë kohës ishte e barabartë, por Prishtina siguroi fitoren në fund të takimit. Çerekun e fundit skuadra prishtinase e përfundoi me shifrat 15:11 për ta siguruar fitoren në duelin e parë të këtij edicioni të ligës së përbashkët të Shqipërisë e Kosovës. Çereku i parë ishte i barabartë, 20:20, ndërsa të dytin e fitoi Partizani, 21:16. Prishtina u fut me disavantazh prej pesë pikëve në periudhën e tretë, të cilën arriti ta fitoi dhe dhjetëminutëshin e fundit të ndeshjes Partizani e nisi me vetëm dy pikë epërsi (52:50).

Fundorja amerikane Asianne Johnson ishte më e merituara për fitoren e Prishtinës. Ajo ndeshjen e mbylli me 31 pikë, 13 kërcime dhe shtatë asistime. Në ndihmë i dolën Jade Williams (15 pikë, 12 kërcime) e Flutura Mehmeti (11 pikë, 8 kërcime). Te Partizani, katër lojtare e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore por nuk arritën ta evitojnë humbjen nga Prishtina. Imela Mala ishte më e dalluara me 16 pikë, e ndjekur nga Samra Omerbashiq (13 pikë) dhe Ketojna Fekollari e Ornela Lalaj që realizuan nga dhjetë pikë. Ndërkohë, në duelin e luajtur në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi dominoi plotësisht ndaj Flamurtarit të Vlorës. Kampioni i Kosovës i dha fund çështjes së fituesit pas dy çerekëve të parë. Në pushimin më të gjatë shkoi me epërsi prej 31 pikëve – 54:23.

Flamurtari vetëm në dy periudhat e fundit ishte kundërshtar më i barabartë, pasi trajneri i Bashkimit, Viktor Kovaq, e shfrytëzoi epërsinë për të inkuadruar në lojë të gjitha lojtaret.

Qendra Adrienne Godbold ishte më e dalluara te Bashkimi me 26 pikë e 12 kërcime. Me lojë të mirë u veçuan edhe Arbnore Përquku (16 pikë, 9 kërcime, 8 asistime) e Sarah Mgbeike (15 pikë). Te Flamurtari, më e dalluara ishte Asia Henderson me “double-double” prej 13 pikëve e 14 kërcimeve.

Ndeshja e fundit e xhiros së parë të Ligës Unike te basketbollistet do të zhvillohet të mërkurën prej orës 17:00. Skuadra e Penzës do të jetë mysafire e Tiranës.

Te basketbollistët, Liga Unike do të zhvillohet në formë turneu, që do të zhvillohet më vonë. Edicionin e kaluar Liga Unike e basketbollistëve ishte ndërprerë në nismë për shkak të telasheve tek ekipet nga Shqipëria.