Përzgjedhës i Përfaqësueses A të Kosovës në konkurrencën e femrave, Fidan Shatri ka publikuar listën e gjerë të lojtareve për Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, ka njoftuar të hënën Federata e Basketbollit të Kosovës.
Në listën e gjerë për garën që nis më 28 qershor dhe përfundon më 3 korrik në Nicosia të Qipros, janë përfshirë 15 basketbolliste.
Stërvitjet do t’i nisin të martën në Prishtinë kurse pak para shkuarjes në Qipro, do të shpallet edhe lista përfundimtare.
Për herë të parë në ekipin A të Kosovës, janë ftuar Besjana Martinaj, Flaka Kelmendi, Sara Vraniqi, Tringa Ukaj, Edona Thaqi dhe Sumeja Kosumi. Ndërsa, pjesë e kësaj liste janë edhe Arbnore Përquku, Aulona Muhadri, Astera Tuhina, Agnesa Rrahmani, Diellza Dekaj, Diedona Halitaj, Era Shatri, Marigona Rushiti e Saranda Daci.
Në këtë turne, Kosova është pjesë e Grupit A, së bashku me Qipron, Andorrën, Norvegjinë dhe Maltën.
Ndeshjen e parë Kosova e zhvillon më 28 qershor me Maltën pastaj me 29 qershor ballafaqohet me Andorrën.
Më 30 qershor Kosova do të zhvillojë ndeshjen e parafundit me Qipron kurse ndeshjen e fundit e zhvillon me 2 korrik ndaj Norvegjisë.
Për Kosovën, kjo është hera e dytë që do të paraqitet në këtë Evropian. Herën e parë, u paraqit vitin e shkuar dhe doli e treta.