Basketbollistet e Kosovës të hënën kanë udhëtuar për në Nikozi të Qipros, ku deri në fund të javës do të kenë ndeshje të shumta. Pas një udhëtimi të gjatë, basketbollistet janë vendosur në kryeqendrën qipriote dhe kanë zhvilluar një stërvitje. Menjëherë të martën pasdite e zhvillojnë ndeshjen e parë ndaj Maltës (17:30). Është kjo ndeshja e parë për Kosovën në Kampionatin Evropian për Vende të Vogla. Në garën e shteteve të vogla, Kosova kërkon suksesin e madh – vendin e parë.
Kosova për herë të dytë paraqitet në Kampionatin e Shteteve të Vogla. Ka debutuar vjet, që ishte edhe debutim i basketbollisteve seniore në skenën ndërkombëtare. Kosova vjet përfundoi e treta, ndërsa tani kërkon sukses më të madh. Në Nikozi mbahet edicioni i 17-të i garës për vende të vogla, përkatësisht i atyre që basketbollin e femrave nuk e kanë në nivelin e lartë evropian.
Këtë herë paraqiten vetëm pesë përfaqësuese, derisa vjet ishin gjashtë. Dhe numri i vogël i ekipeve pjesëmarrëse ka bërë që të formohet vetëm një grup dhe secili të luajë me secilin. Në fund, përfaqësuesja më e suksesshme fiton titullin e kampionit.
Kosova të mërkurën luan me Andorrën e të enjten me Qipron. E premtja është e lirë, ndërsa të shtunën basketbollistet kosovare takohen me Norvegjinë. Kosova nuk ka ndeshje të dielën. Mungon Luksemburgu që vjet ishte kampion e po ashtu Irlanda, nënkampionia e vitit të kaluar. Rrjedhimisht konkurrenca është më e zbehtë paksa dhe gjasat e Kosovës për sukses janë më të mëdha. Kosova tashmë ka edhe përvojën e fituar vitin e kaluar, ndërsa nuk ka në përbërje amerikane të natyralizuara, sikur vjet.
“E rëndësishme është çdo pikë që e fitojmë. Pas tri javë përgatitje intensive, presim rezultate pozitive deri në ditën e fundit të garës”, ka theksuar Saranda Daci, njëra prej lojtareve kryesore të Kosovës.
Ajo pret përmirësim në krahasim me vitin e kaluar.
“Çdo kampionat është i rëndësishëm. Viti i kaluar ishte histori për ne, por edhe rezultatin që e kishim dëshmon se kishim kualitet. Do të mundohemi të shfaqim më shumë. Këtë herë kemi ekip të ndryshëm në krahasim me vitin e kaluar, por nuk kemi pasur shumë kohë që të koordinohemi. Do të luftojmë deri në fund për rezultat më të mirë se vitin e kaluar kur ishim të tretat”, ka shtuar Daci.
Ajo nuk e nënçmon asnjërin rival, ndërsa pret që kundërshtaret kryesore të Kosovës të jenë Norvegjia dhe Qiproja.
Edhe kapitenia Arbnore Përquku veçon Norvegjinë e Qipron.
“Është me rëndësi të startojmë mirë, të startojmë me fitore. Kjo do të na jepte motiv shtesë për ndeshjet në vazhdim. Vitin e kaluar kishim më shumë se një muaj kohë që të përgatitemi, ndërsa këtë herë koha ishte më e shkurtër. Por presim që të përfundojmë më mirë se vjet, pra në vendin e parë”, ka theksuar Përquku.