Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll (vajzat) do të jetë në grup me Maltën dhe Qipron në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla. Shorti është tërhequr të martën në Munih ndërsa kampionati i shteteve të vogla do të mbahet në Prishtinë prej 25 deri më 30 qershor.
Në grupin B janë Norvegjia, Shqipëria, Andorra dhe Armenia. Këto shtatë përfaqësuese do të luftojnë për titull. Të martën është hedhur shorti edhe për kampionatet evropiane të grupmoshave të reja në të dy gjinitë.
Kosova U20 (djemtë) në Evropianin e Divizionit B do të jetë në grup me Suedinë, Hungarinë, Armeninë, Ukrainën dhe Moldavinë. Kosova U18 (vajzat), në Evropianin e Divizionit C që po ashtu organizohet në Kosovë, do të jetë në grup me Qipron dhe Maltën. Basketbollistët e Kosovës U18 do të jenë në grup me Estoninë, Poloninë, Islandën, Hungarinë dhe Zvicrën. Do të garojnë në Divizionin B. Kosova U16 (vajzat) do të luaj në Evropianin B, ndërsa është në grup me Sllovakinë, Ukrainën, Irlandën e Turqinë. Djemtë e Kosovës U16 janë në Evropianin e Divizionit C ku do të luajnë me San Marinon, Gjibraltarin e Armeninë. Të gjitha këto ngjarje janë në verë.