Futboll

Kosova U19 mëson kundërshtarët për “Euro 2027”

U19

Futbollistët e Kosovë U19 do të përballen me Turqinë, Armeninë dhe Gjibraltarin në kualifikimet për Evropianin 2027 që mbahet në Çeki.

Shorti është tërhequr të mërkurën në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës. Kosova është në grupin 2 të Ligës B.

Ndeshjet e grupit të Kosovës do të zhvillohen në Turqi më 24, 27 dhe 30 mars. Fituesi i grupit kalon në Ligën A dhe vazhdon kualifikimet për Evropian. Ndeshjet e Ligës A luhen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, kundërshtarët për dy cikle kualifikuese i kanë mësuar edhe futbollistët e grupmoshës U17 të Kosovës.

Kosova U17 në raundin e dytë të ciklit kualifikues për edicionin 2025/2026 do të përballet në grupin 7të Ligës B me Holandën dhe Bjellorusinë. Nikoqire e turneut është Holanda.

Ndeshjet luhen në mars.

Për edicionin 2026/2027, gjenerata e ardhshme e U17 të Kosovës do të ketë punë me Belgjikën, Kroacinë dhe Letoninë. Kosova është në grupin 12, ndërsa turneu zhvillohet në Kroaci në nëntor të vitit të ardhshëm.

14 ftuesit e grupeve dhe 14 vendet e dyta kualifikohen në raundin e dytë në Ligën A.