Futboll

Kosova në grup me Kroacinë dhe Bullgarinë

kosovo

Të martën është tërhequr shorti për kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027 për futbolliste.

Kualifikimet organizohen në tri nivele, njëjtë si Liga e Kombeve.

Kosova do të garojë në Ligën C, që është niveli i tretë, ndërsa do të jetë në grup me Kroacinë, Bullgarinë dhe Gjibraltarin.

Fituesi i grupit avancon në plejof për kualifikim në Botëror dhe po ashtu “gradohet” në Ligën B për kampanjën e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Në plejof për kualifikim në Botëror avancojnë edhe dy përfaqësueset më të mira të vendit të dytë, nga gjashtë grupe sa janë në Ligën C.

Gara në Ligën C të kualifikimeve për Botërorin 2027 fillon më 3 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa përfundonë më 9 qershor.

Kosova në short ishte në vazon e dytë. Rrjedhimisht Kroacia, që ishte në vazon e parë, llogaritet favorite e grupit.

Shqipëria është në Ligën B, ndërsa shorti e ka vënë në grup me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi.

Edhe prej Ligës B kualifikimi është i mundur vetëm në plejof e jo direkt në Botëror.