Sport

Basketboll, Kosova fiton me kosh në sekondën e fundit

Amerikania e natyralizuar, Alex Tolefree, i ka siguruar Përfaqësueses së Kosovës në basketboll fitoren në ndeshjen e parë ndërkombëtare.

Kosova po debuton në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla që ka nisur të martën në Nikozi të Qipro. Në ndeshjen e parë të Grupit B, Kosova ka triumfuar ndaj Qipros me rezultatin e ngushtë 70:68. Në fakt, ishte amerikania Tolefree që shënoi për tri pikë në sekondën e fundit për t’ia siguruar fitoren Kosovës.

Tolefree ishte edhe më e dalluara te Kosova, pasi ndeshjen e mbylli me 22 pikë, tetë kërcime e dy asistime. Me lojë të mirë te Kosova, u veçuan edhe Saranda Daci që regjistroi “double-double” me 16 pikë e 15 kërcime derisa Arbnore Përquku shtoi 13 pikë dhe bëri shtatë asistime.

Në anën tjetër, te Qipro më efikasja ishte Stavroula Koniali me 24 pikë e dhjetë kërcime. Basketbollistet seniore të Kosovës për herë të parë paraqiten në garat zyrtare.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të mërkurën kundër Luksemburgut. Dy vendet e para në grup, avancojnë në gjysmëfinale të këtij turneu derisa vendi i tretë luan në garën për plasman .