Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketboll, humbje e thellë e Kosovës nga Qipro

Basketbollistet e Kosovës kanë regjistruar edhe një rezultat dëshpërues në Kampionatin Evropiane për Vende të Vogla.

Të enjten pasdite në Nikozi të Qipros, Kosova humbi me plot 21 pikë dallim, 88:67. Për Kosovën është humbja e dytë në tri ndeshje të luajtura. Në ditën e parë, Kosova kishte pësuar nga Malta. Të mërkurën triumfoi ndaj Andorrës, përpara se të mposhtet nga Qipro, që regjistroi fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura.

Kosova nuk e fitoi asnjë çerek përball Qipros. Çereku i parë ishte i barabartë edhe pse përfundoi me epërsinë e Qipros me një pikë (18:17). Qipro e filloi shkëputjen në çerekun e dytë për të shkuar në pushim me një avantazh prej shtatë pikëve (40:33). Edhe dy çerekët e fundit, Qipro i fitoi për ta mbyllur ndeshjen me një epërsi prej 21 pikësh.

Tri basketbolliste te Kosova e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, por që nuk arritën ta shmangin humbjen.

Më e dalluara ishte Era Shatri me 17 pikë e tetë kërcime, e përcjellë nga Astera Tuhina (16) dhe Saranda Daci që pati 15 pikë e 11 kërcime. Te Qipro, më efikasit ishin Andriana Kasapi e Eleni Pilakouta me nga 15 pikë të realizuara secila. Ndeshjen e fundit në këtë garë, Kosova e luan të shtunën kundër Norvegjisë.