Sport

Basketboll, Bashkimi e Prishtina në finalen e Kupës te femrat

Basketbollistet e Bashkimit kanë shënuar fitore dramatike ndaj Penzës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës për të kaluar në finale.

Fituesi i gjysmëfinales së luajtur të mërkurën në Pejë, u vendos në sekondat e fundit të ndeshjes, të cilën e fitoi Bashkimi me rezultatin e ngushtë 80:77.

Besjana Martinaj ishte më e dalluara te Bashkimi pasi ndeshjen e mbylli me 21 pikë të shënuara, e përcjellë nga Shakyla Hill (17), Monique Coker (14) e Era Shatri (13) që gjithashtu realizuan pikë dyshifrore.

Në anën tjetër, te Penza vetëm tri lojtare arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Më e dalluara ishte Rael Whitsitt me “double-double” prej 20 pikëve e 15 kërcimeve, ndërsa u veçuan edhe Taylor Barnes (21) e Diedona Halitaj (12).

Në finalen që do të luhet të dielën, po ashtu në palestrën “Karagaçi” në Pejë, skuadra e Bashkimit do të përballet me Prishtinën. Prishtina në gjysmëfinale e kaloi me lehtësi Trepçën që e mposhti të martën me rezultatin 86:50. Finalja luhet prej orës 15:00.