Basketbollistet e Bashkimi kanë shënuar fitoren e parë këtë vit në ndeshjen e parë të Ligës Unike. Ekipi nga Prizreni, të martën triumfoi bindshëm ndaj Flamurtarit të Vlorës, të cilit ia shkaktoi humbjen e parë këtë sezon pas pesë fitoreve.
Ndeshja e xhiros së gjashtë e Ligës Unike, që u luajt në Suharekë, përfundoi me shifrat 83:66 në të mirë të Bashkimit.
Për Bashkimin, kjo është fitorja e tretë këtë edicion që e ngrit në kuotën e nëntë pikëve, dy më pak se Flamurtari që mbetet lider.
Khadija Brown-Haywood ishte më efikasja te Bashkimi me 24 pikë të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Dasia Evans (17 pikë) e Arbnore Përquku me 16 pikë e 14 asistime.
Te Flamurtari, Samra Omerbashiq ishte më e dalluara me “double-double” prej 23 pikëve e 11 kërcimeve, por që nuk arriti ta ndihmojë ekipin nga Vlora për ta evituar humbjen e parë këtë sezon në Ligën Unike.