Trajneri Xavi Hernandez tha se Barcelona është “klubi më i vështirë në botë” për shkak të kërkesave në ekipin e tij që të fitojë duke luajtur futboll të mirë. Barça përballet me Eintracht Frankfurtin në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Evropës në “Camp Nou” pas barazimit 1:1 në Gjermani javën e kaluar. Ky duel luhet të enjten prej orës 21:00. Xavi, i cili e ka çuar Barçën nga pozita e nëntë në La Liga në të dytën prejse zëvendësoi Ronald Koemanin në nëntor, i ka paralajmëruar lojtarët e tij se një fitore e ngushtë nuk është kurrë e mjaftueshme, edhe nëse vulos një vend në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
“Ne jemi të detyruar të fitojmë dhe të luajmë mirë. Kjo është Barça. Një fitore 1:0 në minutën e 90-të nuk mjafton, ne e dimë këtë”, tha Xavi të mërkurën në konferencën për shtyp. “Për ata që e njohin klubin, ka të bëjë me përsosmërinë në gjithçka që bëjmë. Kjo është arsyeja pse ky është klubi më i vështiri në botë. Nuk ka krahasim. Nuk ka asnjë klub tjetër në botë si ky, me kërkesën për të fituar bindshëm dhe luajtur mirë. Është shumë e vështirë”.
Këto kërkesa e kanë sjellë rënien e Barçës, duke kulmuar me eliminimin nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve këtë sezon, dhe zhvendosjen në Ligën e Evropës. Pjesëmarrja në rangun e dytë të garave të UEFA-s është e vështirë si për klubin ashtu edhe për tifozët. Mirëpo Xavi është i vendosur për ta fituar Ligën e Evropës.
“Duhet ta fitojmë këtë garë dhe besoj se kemi kapacitetin për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.
Sergino Dest dhe Memphis Depay janë rikuperuar dhe të gatshëm për të luajtur ndaj Frankfurit, ndërsa Gerard Pique mbetet në dyshim edhe pse është përfshirë në ekip. Xavi shtoi se Barça duhet të ketë paraqitje dukshëm më të mirë se në ndeshjen e parë dhe “të mos dhurojë aq shumë topa të panevojshëm”. Fituesi i këtij dueli në gjysmëfinale do të takohet me West Ham Unitedin apo Lyonin më vonë këtë muaj, me finalen e planifikuar të zhvillohet në Sevilla më 18 maj.
“Nuk ishte objektivi ynë në fillim të sezonit, por kjo është situata që është tani. Është një kompeticion tjetër, jo aq i vlerësuar sa Champions League, por lojtarët janë të gatshëm dhe të motivuar për ta fituar”, tha Xavi. “Unë kam thënë shumë herë se do të donim të ishim në Ligën e Kampionëve dhe po punojmë shumë për t'u rikthyer. Kështu që triumfi në Ligën e Evropës do të ishte një hap përpara dhe një shenjë se ne mund të konkurrojmë në Evropë”.
Edhe
Në Mynih “pjesa e dytë” e spektaklit të futbollit
Sikurse te Barcelona edhe të Frankfurti po e synojnë kalimin në gjysmëfinale. Kështu ka insistuar trajneri i ekipit të Bundesligës, Oliver Glasner.
“Ne e dimë se do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Ne kemi besim nga ndeshja e parë. Kërkoj një paraqitje shumë të mirë në çdo aspekt, madje edhe më mirë se në shtëpi. Jemi të përgatitur mirë. Qëllimi ynë është të fitojmë ndeshjen. Ne duhet të jemi shumë efikas për këtë”, tha Glasner.
Të enjten prej orës 21:00 zhvillohen edhe dy duelet e tjera çerekfinale: Lyoni – West Hami dhe Rangersi – Braga. Skuadra e Lyonit ka barazuar 1:1 me West Hamin në ndeshjen e parë, ndërsa Rangersi ka pësuar 1:0 nga Braga. Ndërkohë, në orën 18:45 luhet dueli mes Atalantas dhe Leipzigut. Në përballjen e parë, që u zhvillua javën e shkuar në Gjermani, rezultati ishte i barabartë – 1:1.