Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ndeshja ndaj Napolit, më e rëdësishmja e edicionit për Barçën

Ekipi i FC Barcelones para ndeshjes me Napolin

Ndeshja e kthimit e një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Napolit, do të jetë më e rëndësishmja e edicionit për Barcelonën. Kështu ka thënë të hënën trajneri i Barçës, Xavi Hernandez.

Ndeshja e parë në Napoli kishte përfunduar 1:1 dhe Barcelona të martën prej orës 21:00 e ka rastin që të arrijë në çerekfinale për herë të parë që nga viti 2020. Në dy edicionet e kaluara dështoi të kalojë grupin.

Ndeshja e parë ishte luajtur më 21 shkurt në “Diego Armando Maradona” në Napoli. Ndeshja e dytë luhet në stadiumin olimpik në Barcelonë.

Barcelona për herë të fundit ka fituar ndeshje në fazën nokaut të Championsit pikërisht ndaj Napolit. Bëhet fjalë për fitoren 3:1 në shtëpi në vitin 2020.

Barcelona ka mbetur thuajse pa gjasa për titull në La Liga. Është e treta me tetë pikë më pak se Real Madridi. Kështu që Championsi është prioritet për skuadrën e madhe.

Edhe Rrahmani: Shtëpia ime tani është në Napoli Futboll 2 muaj më parë Rrahmani: Shtëpia ime tani është në Napoli

“Ndeshja më e rëndësishme e sezonit? Po, është. Dhe ne jemi të gatshëm, të entuziazmuar”, ka thënë Xavi në konferencë për shtyp.

“Janë bërë katër vjet prej se kemi qenë në çerekfinale dhe ne e shohim në këtë mënyrë. Duam të garojmë ndaj një kundërshtari që ndonëse nuk po kalon momentin më të mirë e ka bazën që i solli Scudetton vitin e kaluar”, ka shtuar Xavi.

Barcelona ka pak gjasa që ta mbrojë titullin në Spanjë, ndërsa Napoli tashmë është pa gjasa që ta bëjë këtë në Itali. Është në vendin e shtatë në Serie A, 31 pikë prapa interit.

Francesco Calzona mori drejtimin e Napolit javë më parë. Dhe prej atëherë skuadra napolitane nuk ka humbur asnjërën prej pesë ndeshjeve.

“Napoli është përmirësuar me trajnerin e ri. Është ekip më dinamik dhe më komod”, ka shtuar Xavi. Ai pret që Napoli të bëjë presion të lartë, të shfaqë trimëri.

“Napoli ka shumë talent në aspektin individual. Është ndeshje e madhe dhe ekip i madh. Është kampioni i Italisë”, ka shtuar Xavi.

Barcelona ka vuajtur për shkak të lëndimeve së fundi. Frenkie de Jong dhe Pedri janë në mesin e atyre që mungojnë. Xavi ka konfirmuar se sulmuesi Ferran Torres, që mungoi në shtatë ndeshjet e fundit për shkak të një problemi muskulor, nuk është ende gati për rikthim. Xavi ka thënë se mungesat janë të rëndësishme, por se skuadra duhet të garojë. Sipas tij, Barça ishte skuadër më e mirë në Napoli dhe duhet të jetë më e mirë edhe para tifozëve të saj.

Edhe Në Mynih “pjesa e dytë” e spektaklit të futbollit Futboll 2 muaj më parë Në Mynih “pjesa e dytë” e spektaklit të futbollit

Në ndeshjen e parë golat ishin shënuar vonë. Robert Lewandowski kishte kaluar në epërsi Barcelonën në minutën e 60-të. Për 1:1 kishte realizuar Victor Osimhen në minutën e 75-të.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Napolit në mbrojtje. Ai pati një shqetësim në ndeshjen e 3 marsit ndaj Juventusit dhe për këtë u la në stol në ndeshjen e fundit me Torinon, që përfundoi 1:1. Por Rrahmani është përfshirë në ekip për ndeshjen në Barcelonë dhe pritet të jetë gati.

Të martën prej orës 21:00 është edhe një tjetër ndeshje shumë interesante. Në stadiumin “Emirates”, Arsenali e pret Porton. Ndeshjen në Portugali e kishte fituar Porto me rezultatin 1:0. Galeno kishte shënuar në minutën e 94-t.

“Duhet të ndryshojmë disa gjëra që të kemi më shumë shanse se në ndeshjen e parë. Ky është niveli i Ligës së Kampionëve, përballesh me top-skuadra. Duhet të jemi më të mirë nesër. Shpresoj se tifozët do të jenë të zhurmshëm dhe së bashku do të arrijmë në çerekfinale”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Ai e vlerëson shumë përkrahjen që skuadra merr nga tifozët.

“Mendoj që ndikimi që mund të kenë nesër është i pabesueshëm. Nuk mendoj se e kuptojnë këtë. Na duhen që së bashku të luajmë në secilin top dhe na duhet kontrolli emocional po ashtu. Është një mundësi e bukur që të shijojmë një natë si kjo”, ka shtuar Arteta.

Edhe Rrahmani u kthye me fitore 4:0, por i duhet ende kohë për ta gjetur ritmin Futboll 3 muaj më parë Rrahmani u kthye me fitore 4:0, por i duhet ende kohë për ta gjetur ritmin

Arsenali është lider në Premier League dhe do të zhvillojë garë të fortë deri në fund me Liverpoolin dhe Manchester Cityn. Arsenali e Liverpooli kanë nga 64 pikë, ndërsa City një më pak.

Në çerekfinale të Championsit tashmë janë kualifikuar PSG-ja, Manchester City, Bayerni e Real Madridi. Pra katër prej skuadrave më të mëdha të futbollit.