Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Turpërimi i Barcelonës me biletat

Trajneri Xavi Hernandez ka fajësuar edhe tifozët katalonjas për eliminimin befasues të Barcelonës nga Eintracht Frankfurti në Ligën e Evropës.

Barça u eliminua në çerekfinale të kësaj gare, ndërsa Frankfurti në gjysmëfinale do të përballet me West Ham Unitedin. Ndeshja e kthimit mes Barcelonës e Frankfurtit, që u luajt të enjten mbrëma, kishte gjithçka. Madje Barcelona në kohën shtesë shënoi dy gola, por nuk arriti ta evitonte humbjen dhe eliminimin. Frankfurti edhe pse mbeti me një lojtar më pak, arriti që ta fitonte ndeshjen me shifrat 3:2 dhe të avanconte tutje me rezultatin e përgjithshëm 4:3, pasi javën e shkuar barazoi 1:1 në shtëpi.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka mbetur i mërzitur kur ka kuptuar se brenda stadiumit “Camp Nou” kishte rreth 30.000 tifozë të Frankfurtit, ndonëse klubit gjerman iu ndanë vetëm pesë mijë bileta zyrtarisht. Duke e përshkruar atë si një “llogaritje të gabuar”, Xavi, u ankua: “Është e qartë se atmosfera nuk ndihmoi dhe klubi po shqyrton pse ndodhi kjo. Lojtarët duan të dinë gjithashtu pse”, tha trajneri Xavi. “Ishte një llogaritje e gabuar nga ana jonë. Kjo nuk mund të lejohet të ndodhë. Ishte më shumë si një finale me stadium të ndarë”.

Xavi u kishte kërkuar tifozëve të Barcelonës që të mbushnin stadiumin para ndeshjes dhe klubi u bëri thirrje tifozëve po ashtu. Por tifozët vendas u dëgjuan fare pak kur lojtarët e ekipit spanjoll dolën në fushë për t’u ngrohur. Në fakt ata u përqeshën në fushë me tifozët e Frankfurtit në të gjithë stadiumin.

Më i ashpër se Xavi ishte presidenti i Barcelonës, Joan Laporta. Ai ka thënë se është ndier i turpëruar nga numri i madh i tifozëve të Frankfurtit në tribunat e stadiumit. Me të përfunduar ndeshja tifozët e Eintrachtit, të vendosur në të gjithë stadiumin, u mblodhën me sektorin zyrtar të mysafirëve dhe festuan së bashku me lojtarët.

“Jam i shqetësuar sepse ajo që ndodhi ishte e turpshme dhe nuk mund të ndodhë më. Kemi informacione për atë që ka ndodhur, por na duhet kohë për t’i përpunuar. Ne do të marrim masa, sepse është e egër dhe e turpshme”, ka pranuar Laporta. “Sinqerisht jam ndier i turpëruar. Kishte më shumë tifozë të ekipit tjetër se tanët. Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur”.

Laporta tha se klubi po heton se si ndodhi që të ketë aq shumë tifozë gjermanë në stadium, përpara se të marrin masa për të parandaluar një situatë të ngjashme në të ardhmen.

“Ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë kjo lloj situate sërish, duhet të jemi më të rreptë”, tha ai. “Po shikojmë se çfarë ka ndodhur me sigurinë dhe biletat, është një situatë që askush nuk e dëshiron. Kur të kemi përpunuar të gjitha informacionet, ne do të shpjegojmë gjithçka dhe do të marrim masa”.

Ndërsa Barça priste mbështetje të madhe në stadium, mediumet raportuan se kishte afër 30.000 tifozë të Eintrachtit në mesin e 79.468 shikuesve që ishin të pranishëm në tribuna.

Gazetat spanjolle janë “hidhëruar” me atë që ndodhi në “Nou Camp” të enjten mbrëma. “Diario Sport” në ballinë shkruante: “Çfarë zhgënjimi”, me një foto të mijëra mbështetësve të Frankfurtit. E përditshmja tjetër, “Mundo Deportivo”, shkoi me titullin: “Kaputt në Nou Kamp”, një referencë e zgjuar për “marrjen” e stadiumit vendas nga ana e palës gjermane. “Marca” raportoi se kishte 20.000 tifozë vizitorë, ndërsa AS vlerësoi se ishin rreth 25.000.

Artikuj të ngjashëm