Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka insistuar se ekipi i tij duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë” para duelit me Astanan e Kazakistanit.
Ndeshjen me Astanan, Daja e ka vlerësuar tejet të vështirë, duke u bazuar në përvojën evropiane të ekipit kundërshtar. Mirëpo ka premtuar se Ballkani nuk do të kursejë asgjë për të bërë një tjetër paraqitje të mirë, nëpërmjet së cilës do ta prezantonte gjithë futbollin kosovar.
Dueli mes Ballkanit dhe Astanas zhvillohet të enjten prej orës 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është ndeshje e xhiros së tretë të Grupit C të Ligës së Konferencës, në të cilin Ballkani është i dyti në tabelë me 3 pikë, ndërsa Astana e fundit, pa pikë.
Grupit i prin Viktoria Plzeni me 6 pikë, ndërsa Dinamo e Zagrebit ka po ashtu 3 pikë.
Ballkani në ndeshjen ndaj Astanas futet pas fitores së madhe, 2:0, që e arriti në Prishtinë kundër Dinamos më 5 tetor. Ndërkohë, Astana ka dy humbje.
“Duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse për ne çdo kundërshtar në garat evropiane është i vështirë. Edhe Astana ka përvojë në këto gara, ku ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Nuk ka vend për emocione pas fitores, sigurisht historike, me Dinamo Zagrebin. Por do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe do të fokusohemi tek Asana. Është ndeshje shumë e vështirë për neve dhe do te japim gjithë energjinë për prezantimin sa më të mirë të Ballkanit dhe të kampionatit të Kosovës”, është shprehur Daja të mërkurën në konferencën për shtyp.
Ai ka thënë se i gjithë fokusi është te ndeshja e së enjtes mbrëma.
“Pra, nuk do të shohim për më larg, por duhet të fokusohemi për këtë ndeshje dhe objektivat tona nuk kanë ndryshuar si para ashtu edhe pas ndeshjes me Dinamon”, ka shtuar trajneri i suharekasve.
Daja ka theksuar se pothuajse 90 për qind të ekipit e ka në dispozicion për ndeshjen me ekipin nga Kazakistani. Ka treguar se Almir Kryeziu dhe Marsel Ismajlgeci kanë bërë stërvitje të diferencuar dhe mbetet të shihet nëse do të jenë të gjendje të aktivizohen të enjten.
Daja shpreson që Ballkani të vazhdojë me formën e mirë që e ka treguar këtë edicion në garat evropiane. Kampioni i Kosovës i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet evropiane si vendas. Ballkani nuk di për humbje në Superligën e Kosovës dhe i prin tabelës me 23 pikë pas shtatë fitoreve dhe dy barazimeve.
“Po kalojmë një periudhë të mirë në kampionat dhe garat evropiane, duke filluar nga ndeshjet kualifikuese. Besoj se është një përjetim i madh në karrierën time si trajner dhe ky përjetim po ndodh javë për javë, si në Evropë ashtu edhe kampionat. Ekipin e kemi shumë të mirë dhe shpresoj ta mbajmë këtë formë sa më gjatë që të jetë e mundur”, tha Daja.
“Kemi të gjitha ndeshjet e fituara si vendas në garat evropiane dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Por, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe kësaj ndeshjeje t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Në këto nivele prezent është edhe presioni, por këtë presion së bashku me lojtarët po e kthejnë në energji pozitive”.
Portieri Enea Koliçi, që u paraqit në konferencën për shtyp po ashtu, insistoi se Ballkani ndaj Astanas, sikurse ndaj secilit kundërshtar, do të futet për fitore. Ai pranoi se nuk do të jetë mision i lehtë për shkak se Astana mbetet ekip shumë i fortë, përkundër që nuk e ka asnjë pikë në grup.
“Ne gjithmonë, në secilën ndeshje, futemi për të fituar dhe kështu do të jetë edhe ndaj Astanas. Pavarësisht se Astana nuk ka fitore, nuk do të thotë se është kundërshtar i lehtë. Kemi shumë respekt për kundërshtarin, por më shumë e respektojmë veten. Përballemi me një ekip shumë të fortë dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë me formën e mirë që e kemi treguar deri më tani si vendas”, u shpreh Koliçi.
Në fund të konferencës, trajneri Daja, si zakonisht, pati apel për të gjithë tifozët. Ai kërkoi që në tribuna të ketë numër sa më të madh shikuesish për ta përkrahur Ballkanin ndaj Astanas. Insistoi se kjo përkrahje do të jetë motiv shtesë për futbollistët e tij.
Ballkani e mbajti në Hajvali stërvitjen e fundit para ndeshjes me Astanan.