Sport

Astana e vendosur të marrë pikët e plota në Prishtinë

Tek Astana e kanë parasysh forcën e Ballkanit, por ekipi nga Kazakistani ka ardhur në Kosovë me qëllim të qartë.

Astana është e përkushtuar ta mposht kampionin e Kosovës, për ta regjistruar fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim tutje. Ndeshjen me Ballkanin, trajneri i Astanas, Grigori Babayan, e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për ekipin e tij.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Babayan nuk hezitoi të deklarojë se fitorja është synimi i vetëm i skuadrës nga Kazakistani kundër Ballkanit.

Dueli mes Ballkanit dhe Astanas zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të enjten prej orës 18:45 dhe i takon xhiros së tretë të Grupit C të Ligës së Konferencës.

“Ballkani është ekip i mirë i cili ka stilin e vet të lojës nëpërmjet të cilit ka edhe paraqitje të fuqishme në çdo ndeshje. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe sigurisht që synojmë pikët e plota përballë Ballkanit. Në ndeshjet e kaluara kemi bërë gabime, të cilat kemi punuar që t’i evitojmë për këtë duel dhe do të mundohemi maksimalisht të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Babayan.

Për dallim prej Ballkanit që ka një humbje dhe një fitore, Astana ka pësuar dy disfata dhe është ekipi i vetëm pa pikë në grup. Ballkani ka tri pikë, sa i ka edhe Dinamo e Zagrebit, ndërsa grupit i prin Viktoria Plzeni.

Formën e mirë të Ballkanit në këtë edicion në Evropë e ka parasysh Babayan, e sidomos fitoren 2:0 ndaj ekipit të madh nga Kroacia, Dinamo.

“Ne kemi qasje serioze ndaj secilit kundërshtar dhe e respektojmë Ballkanin në të njëjtën mënyrë sikurse edhe ekipet e tjera. Ballkani ndaj Dinamos ka treguar se është ekip i madh. Kjo fitore ka qenë një sukses i madh i Ballkanit”, u shpreh Babayan.

Synimet e Astanas i konfirmoi edhe mbrojtësi Timur Dosmagambetov, i cili u paraqit përkrah trajnerit Babayan në konferencën për shtyp. Edhe ai insistoi se ndeshja kundër Ballkanit do të jetë vendimtare për ekipin nga Kazakistani, i cili pret të reflektojë me fitore në Prishtinë pas humbjeve nga Dinamo e Plzeni. Sipas tij, fitorja e Astanas në Prishtinë nuk do të ishte aspak befasi. Kthimi në Kazakistan me pikët e plota nga Prishtina është synimi i të gjithë futbollistëve të klubit Astana.

“Mendoj se ndeshja me Ballkanin do të jetë vendimtare dhe synimi ynë është të fitojmë pas dy humbjeve që i kemi në grup. Jemi përgatitur mirë dhe të orientuar të marrim pikët e plota me një paraqitje të mirë. Ballkani është ekip mjaft i fortë dhe këtë e ka dëshmuar, por do të shohim se çka do të ndodhë gjatë ndeshjes. Do të isha i lumtur nëse do të fitonim, por fitorja ndaj Ballkanit nuk do të ishte befasi”, ka deklaruar Dosmagambetov.

Skuadra e Astanas të mërkurën mbrëma e mbajti stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ballkani stërviti në kampin nacional të FFK-së në Hajvali.