Trajneri i Astanas, Grigory Babayan ka insistuar se vetëm me fitore ndaj Ballkanit do të jetë i kënaqur. Babayan ka thënë se pikët e plota ndaj Ballkanit janë detyrim për Astanan pasi do të bënte një hap para drejt kalimit nga faza e grupeve të Ligës së Konferencës. Astana, të enjten prej orës 16:30 e pret Ballkanin në stadiumin “Astana Arena” të Kazakistanit, në ndeshjen që i takon xhiros së katërt të Grupit C. Para dy javësh, Astana e mposhti Ballkanin në Prishtinë 2:1 dhe Babayan beson se ekipi i tij do ta regjistrojë edhe fitoren e dytë rresht në këtë garë. Astana është e fundit në grup me tri pikë, sa i ka edhe Ballkani në pozitën e tretë dhe Dinamo e Zagrebit që zë vendin e dytë. Në krye të grupit është skuadra nga Çekia, Viktoria Plzen që ka tubuar nëntë pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Madje, te Astana ndeshjen me Ballkanin e vlerësojnë si më të rëndësishmen të këtij viti.
“Para ndeshjes së parë në Kosovë, së bashku me futbollistët e kemi ditur se është ndeshje vendimtare për ta kaluar grupin. Fituam atë ndeshje dhe treguam karakterin tonë. Tani, tri ekipe kanë pikë të njëjta në grup dhe ne kemi gjasa të mira për ta avancuar grupin. Kështu që, do të jem i kënaqur vetëm me fitore ndaj Ballkanit. Është ndeshja më e rëndësishme e këtij viti dhe duhet patjetër të marrim pikët maksimale”, ka thënë Babayan në konferencën për shtyp të mërkurën.
Babayan ka zbuluar se ekipi i tij është maksimalisht i motivuar për ndeshjen ndaj Ballkanit dhe pret që futbollistët e tij të japin gjithçka nga vetja. Ai ka thënë se janë përgatitur mirë, pasi në dhjetë ditët e fundit nuk kanë pasur ndeshje, pasi një xhiro e kampionatit të Kazakistanit është shtyrë.
“Kemi punuar mirë dhe mund të them se futbollistët janë shumë të motivuar për këtë ndeshje, pasi për asnjë moment nuk do ta nënçmojmë Ballkanin. Besoj shumë se ata e kanë parasysh rëndësinë e këtij takimi dhe këtë do ta dëshmojnë në fushë me paraqitjen e tyre të mirë”, shtoi Babayan.
Astana ka gjasa të mos jetë e kompletuar ndaj Ballkanit, pasi të paktën tre futbollistë janë në dyshim që të paraqitjen të duelin e së enjtes për shkak të lëndimit. Këtë e ka konfirmuar edhe vet trajneri i ekipit nga Kazakistani. Jan Vorgovski, Zharko Tomasheviq e Dushan Jovançiq mund të mos jenë në dispozicion për këtë ndeshje, sikurse edhe sulmuesi Abat Aymbetov që është lënduar në stërvitjen e fundit.
Edhe
Astana e vendosur të marrë pikët e plota në Prishtinë
“Këta tre lojtarë kanë qenë të lënduar më herët dhe kanë stërvitur disa ditë me pjesën tjetër të ekipit. Ndërkohë, Aimbetov ka pësuar lëndim të muskulit dhe nuk ka stërvitur ditën e fundit. Kështu që, mbetet të shihet nëse do të jenë në gjendje të mirë për të luajtur ndaj Ballkanit”, shtoi Babayan.
Babayan pret edhe përkrahjen e tifozëve në këtë përballje, duke përmendur edhe një herë se gjëja më e rëndësishme për Astanan është triumfi ndaj Ballkanit.