Sport

Ballkani mund ta nisë rrugëtimin e ri evropian ndaj ndonjë skuadre të madhe

Kampioni i Kosovës, Ballkani, më 20 qershor do ta mësojë kundërshtarin e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Po më 20 qershor, kundërshtarin e rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës e mëson nënkampionia, Drita, e po ashtu skuadra tjetër kosovare, që do ta fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, nga kampionati.

Një ditë më vonë, më 21 qershor, Gjilani ose Prishtina do ta mësojnë kundërshtarin e rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Fituesi i Kupës së Kosovës fillon garimin në rundin e dytë kualifikues të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. Gjilani dhe Prishtina do të përballen më 5 qershor në finalen e Kupës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Prishtina nuk është licencuar për garat evropiane, por ka paraqitur ankesë të mërkurën.

Në rast se Prishtina nuk licencohet apo humb finalen e Kupës, gjasat më të mëdha për të siguruar paraqitjen në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës do t’i ketë Dukagjini. Dukagjini i Klinës aktualisht është në vendin e katërt me 50 pikë. Në fundjavë zhvillohet xhiroja e fundit e edicionit aktual të Superligës së Kosovës.

Gjilani tashmë e ka të sigurt pjesëmarrjen në rundin e parë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës, si i treti i kampionatit. Por nëse fiton Kupën, kalon direkt në rundin e dytë kualifikues.

Kampioni, Ballkani, në rundin e parë kualifikues të “Championsit” mund të përballet me kundërshtarë të fortë. Në short nuk do të jetë bartës. Kundërshtar potencial e ka kampionin e Turqisë. Aktualisht garën për titull në Turqi e udhëheq Galatasaray i Milot Rashicës.

Ferencvarosh, Qarabag, Slovan Bratislava, Sheriff Tiraspol, Bate Borisov, Maccabi Haifa, HJK, Olimpija Lubjana, janë prej kundërshtarëve të mundshëm të Ballkanit.

Ndeshjet e para të rundit të parë kualifikues të Championsit do të luhen më 11 e 12 korrik, ndërsa ndeshjet e kthimit më 18 e 19 korrik.

Ballkani në edicionin aktual u eliminua në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Zhalgirisi. Më pas garën e vazhdoi suksesshëm në Ligën e Konferencës. U kualifikua në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe deri në fund kishte shpresa për të kaluar në fazën nokaut.

Në Ligën e Konferencës, Drita do të jetë bartëse në shortin e fazës së parë kualifikuese. Në Ligën e Konferencës paraqiten shumë skuadra shqiptare.

Ndeshjet e para të rundit të parë kualifikues do të luhen më 13 korrik, kurse ndeshjet kthyese më 20 korrik.

Vera me shumë mundësi do të jetë e mbushur me ndeshje evropiane për skuadrat më të mira të futbollit në vend.