Sport

Ballkani kërkon fitoren ndaj Dritës dhe vendin e parë në tabelë

Te Ballkani janë të vendosur për ta rikthyer pozitën e parë në tabelë, të cilën e humbën vikendin e shkuar. Për ta bërë një gjë të tillë, Ballkani duhet ta mposhtë skuadrën që ia rrëmbeu lidershipin në Superligën e Kosovës në futboll, Dritën.

Dueli mes Ballkanit dhe Dritës zhvillohet të shtunën prej orës 13:00 në Suharekë dhe i takon xhiros së 13-të të elitës së futbollit kosovar. Aktualisht Drita prin në klasifikim me 22 pikë të mbledhura, një më shumë se Ballkani që renditet i dyti.

Ballkani deri në xhiron e shkuar ishte ekipi i vetëm në Superligë pa humbje, por disfata 2:1 në Lipjan ndaj Ulpianës bëri që skuadra nga Suhareka të zhvendoset një pozitë më poshtë. Pikë të njëjta në tabelë me Ballkanin ka Gjilani, por që zë vendin e tretë për shkak të goldallimit më të dobët. Drenica është e katërta me 20 pikë të tubuara.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, sepse përballemi me Dritën që është skuadër shumë e mirë dhe e fortë. Ka pasur paraqitje të mira dhe në radhët e veta ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në fushë”, ka pranuar mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi. “Mirëpo, edhe ne kemi lojtarë që mund ta vendosin ndeshjen, kështu që ky derbi do të jetë i vështirë për dy ekipet. Synimi ynë është i qartë. Duam ta fitojmë ndeshjen dhe ta rikthejmë pozitën e parë në tabelë. E kemi parasysh se do të jetë vështirë, por ne duhet ta tejkalojmë këtë dhe të vazhdojmë tutje”.

Skuadra e Dritës në këtë derbi futet pas një serie të rezultateve pozitive, ku në gjashtë ndeshjet e fundit nuk di për humbje. Madje, në tri përballjet e fundit në kampionat, Drita ka marrë nëntë pikë për t’u ngritur në krye të tabelës. Në ndeshjen e parë mes skuadrave të luajtur në qytetin e Gjilanit, rrjetat mbetën të paprekura.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka pranuar se pret një duel të fortë dhe të vështirë ndaj Ballkanit, por ka insistuar se ekipi i tij është përgatitur maksimalisht gjatë kësaj jave. Ai ka thënë se Drita do të udhëtojë e kompletuar në Suharekë. Sipas Nuhiut, kjo ndeshje është e rëndësishme, por jo edhe përcaktuese për vazhdimësinë e kampionatit.

“Kemi një ndeshje të rëndësishme që duhet ta trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal, pasi luajmë me një kundërshtar shumë të fortë. Ballkani ka ekip të mirë, që luan si grup mirë dhe ka individë cilësorë. Takohen dy skuadra që kanë shumë cilësi brenda vetes dhe të cilat vitet e fundit kanë luftuar gjithmonë për kreun e tabelës. Është një derbi që besoj se do ta arsyetojë këtë epitet me futboll kualitativ. Kemi punuar mirë gjatë tërë javës dhe kemi përgatitur mirë ekipin për mënyrën se si do të luajë. Pres ta nxjerrim në praktikë atë plan. Duhet të bëjmë maksimumin për ta bërë më të mirën, pasi këtë edicion çdo ndeshje është shumë e fortë”, ka thënë Nuhiu.

Nën hijen e këtij derbi, të shtunën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Në Skenderaj, skuadra e Drenicës që pësoi humbje xhiron e shkuar, e pret Ulpianën që e befasoi Ballkanin. Ndërsa, Malisheva në shtëpi do ta kërkojë fitoren e parë kundër Llapit, pas një serie negative prej pesë humbjeve rresht.

Të dielën zhvillohet një ndeshje tjetër interesante në kuadër të kësaj xhiroje. Prej orës 13:30, skuadra e Gjilanit e pret në shtëpi Prishtinën, kampionen në fuqi. Gjilani ka pesë pikë më shumë se Prishtina në tabelë dhe nuk di për humbje në shtatë xhirot e fundit, ku ka regjistruar katër fitore e tri barazime. Në duelin e parë të luajtur në Prishtinë rezultati ishte 1:1. Prishtina nuk ka ecuri të mirë të rezultateve këtë sezon dhe është në kërkim të fitores së pestë në total për ta mbajtur hapin me kreun e tabelës. Ka 16 pikë të mbledhura dhe zë vendin e pestë.

“Kemi një ndeshje të vështirë në shtëpi, por tashmë i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe duelin me Prishtinën po e presim me qetësi. Nuk do të jetë lehtë, por sikurse në çdo ndeshje edhe të dielën do të futemi në fushë për ta dhënë maksimumin. Do të angazhohemi shumë për t’i bërë krenarë të gjithë tifozët që do të jenë në stadium, të cilët shpresoj të jenë në numër të madh dhe të na ndihmojnë drejt arritjes së objektivit të radhës”, ka thënë mbrojtësi i Gjilanit, Armend Halili.

E shtunë

Ballkani – Drita (13:00)

Drenica – Ulpiana (13:00)

Malisheva – Llapi (13:00)

E diel

Dukagjini – Feronikeli (13:00)

Gjilani – Prishtina (13:30)