Sport

Ballkani e pranon se grupi është i fortë, synon paraqitje dinjitoze

Ballkani

Skuadra kampione e Kosovës në futboll, Ballkani, do të vizitojë Çekinë, Rumaninë dhe Turqinë në pjesëmarrjen e parë në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Shorti i fazës grupore të nivelit të tretë të kupave evropiane është tërhequr të premten në Stamboll. Për herë të parë Kosova e kishte një përfaqësues në short për fazën grupore të kupave evropiane në futboll.

Shorti përcaktoi që Ballkani të jetë në grupin G së bashku me Slavia Pragën e Çekisë, CFR Clujin e Rumanisë dhe Sivassporin e Turqisë.

Ballkani tashmë ka arritur sukses historik. Paraqitja në fazën grupore është historike për futbollin kosovar. Dhe skuadra nga Suhareka ka shkruar histori që në debutim. Por Ballkanin e presin edhe gjashtë ndeshje të forta në fazën grupore, të parën prej të cilave e luan më 8 shtator.

Ballkani ishte i fundit në vazon e fundit. Rrjedhimisht secilën pikë eventuale që e merr në grup do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Slavia ishte në vazon e parë, CFR Cluji në vazon e dytë, ndërsa Sivasspori në vazon e tretë.

Slavia është prej skuadrave më të mëdha çeke, ndërsa CFR Cluj është ekip që dominon në Rumani në vitet e fundit. Sivasspori nuk llogaritet prej skuadrave të mëdha turke, por kampionati turk megjithatë i takon nivelit goxha të lartë.

Grupi rrjedhimisht është shumë i vështirë për Ballkanin.

Suharekasit e pranojnë forcën e kundërshtarëve, por kanë premtuar më të mirën në gjashtë ndeshjet në grup.

“Sigurisht që grupi nuk është i lehtë. Por kemi mundur të kemi kundërshtarë edhe më të mëdhenj. Tash nuk e kemi presionin e madh sikurse në ndeshjet e fazës kualifikuese dhe do të mundohemi a japim më të mirën e mundshme për të dëshmuar se ia ka vlejtur arritja deri në fazën e grupeve”, është shprehur Ilir Daja, trajner i Ballkanit.

Vetëm Skënderbeu i Korçës prej ekipeve shqiptare ka luajtur më herët në fazë grupore në kupa evropiane. Skënderbeu dy herë luajti në Ligën e Evropës. Daja e kishte drejtuar edhe Skënderbeun në fazën grupore të Ligës së Evropës.

“Të gjithë kundërshtarët në grup janë të fortë, nuk do ta veçoja asnjërin. Kështu që ne do të tentojmë të bëjmë ndeshje të mira. Të respektojmë kundërshtarët që i kemi, të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze dhe pastaj të shohim se çfarë do të na vijë gjatë rrugës”, ka shtuar Daja.

Shpresa për të befasuar

Ballkani ka fituar titullin e kampionit të Kosovës për suksesin e parë të madh në histori të klubit. Kështu e fitoi të drejtën e paraqitjes në Evropë. Nisi në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku u ndal nga Zhalgirisi lituan. U zhvendos në Ligën e Konferencës dhe në rundin e dytë kualifikues e kaloi La Fioritan e San Marinos. Më pas e kaloi edhe Klaksvikun e Ishujve Faroe dhe në plejof edhe Shkupin, kampionin e Maqedonisë së Veriut.

Slavia, CFR Cluji dhe Sivasspori janë kundërshtarë të nivelit dukshëm më të lartë. Por kjo nuk do të thotë se Ballkani do të paraqitet i dorëzuar.

“Janë ekipe të vështira, por ne jemi ekip që mund të befasojmë çdokënd dhe do të tentojmë ta bëjmë maksimumin në secilën ndeshje. Do të ketë festë në secilën prej tyre dhe shpresoj të rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe të marrim maksimumin prej këtyre ndeshjeve në grupe”, ka thënë drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi.

Festë të madhe kishte të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, pas fitores 1:0 të Ballkanit ndaj Shkupit. Ballkani e kishte fituar edhe ndeshjen e parë, një javë më herët në Shkup dhe me rezultatin e përgjithshëm 3:1 avancoi në grupe.

Meriton Korenica e shënoi golin e vetëm në fitoren e së enjtes ndaj Shkupit, që u luajt në stadiumin e stërmbushur. Korenica kishte shënuar edhe në ndeshjen në Shkup, ndërsa ka shfaqur formë të lartë gjatë të gjithë verës.

“Të gjitha ekipet në grup janë të forta. Ne do të japim maksimumin në secilën ndeshje pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Korenica.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, thekson se synim do të jetë mbledhja e pikëve, ndonëse rivalët janë të nivelit serioz evropian.

“Mendoj se është grup i mirë në krahasim me kundërshtarët që kemi mundur t’i kemi duke pasur parasysh emrat që ishin në short. Kemi kundërshtarë më të cilët mund të përballemi, shpresoj që nuk do ta kemi vetëm aventurë pjesëmarrjen në fazën e grupeve, por të fitojmë disa pikë”, është shprehur Kuç.

Slavia nuk shfaq respekt për kundërshtarët

Liga e Konferencës për nga niveli qëndron pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Është ky edicioni i dytë i kësaj gare. Edicionin e parë e fitoi Roma, që festoi pas finales në Tiranë.

Në fazën grupore të Ligës së Konferencës paraqiten 32 ekipe që janë të ndara në tetë grupe. Prej ekipeve të njohura evropiane që luajnë në fazën grupore janë Fiorentina, West Hami, Anderlechti, Villarreali e Koelni.

Te nënkampionia e Çekisë, Slavia e Pragës, kanë shpresuar që në grup të kenë kundërshtarë më atraktivë se Sivasspori dhe Ballkani.

“Na vjen keq që nuk ka ndonjë ekip interesant për tifozët, ndonjë me emër të madh”, ka thënë trajneri i Slavias, Jindrich Trpishovsky.

Mesfushori Lukash Masopust ka thënë se kanë shpresuar që në grup të kenë ekipe më të forta se Sivasspori dhe Ballkani.

“Qartë se kemi dashur që të jetë grup më ‘kolorit’. Por shorti është ky që është. Do të luftojmë dhe duam të avancojmë”, ka theksuar Masopust.

Futbollisti David Doudera ka thënë se pasi të avancojnë prej grupit mund të kenë kundërshtarë më atraktivë.

Fakt që Ballkani nuk ka emër në futbollin evropian. Por përkrahja e tifozëve në ndeshjet në “Fadil Vokrri” nuk pritet të mungojë dhe suharekasit do ta japin maksimumin për ta bërë të vështirë për Slavian, Clujin dhe Sivassporin.


Grupet e Ligës së Konferencës

Grupi A: Istanbul Bashakshehir, Fiorentina, Hearts, RFS

Grupi B: West Ham, FCSB, Anderlecht, Silkeborg

Grupi C: Villarreal, Hapoel Beer-Sheva, Austria Vjenë, Lech Poznan

Grupi D: Partizan Beograd, Koeln, Nive, Slovacko

Grupi E: AZ Alkmaar, Apollon, Vaduz, Dnipro

Grupi F: Gent, Molde, Shamrock Rovers, Djurgarden

Grupi G: Slavia, CFR Cluj, Sivasspor, Ballkani

Grupi H: Basel, Slovan Bratislava, Zhalgiris, Pyunik