Vetëm dy ditë do t’i ketë trajneri Ilir Daja në dispozicion për t’i përgatitur futbollistët e kampionit të Kosovës, Ballkanit, për ndeshjen e parë të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Por te skuadra suharekase thonë se janë gati për një tjetër paraqitje me dinjitet në Ligën e Konferencës.
Ballkani të enjten do ta zhvillojë ndeshjen e parë të Grupit C. Ekipi nga Suhareka do të jetë mysafir i Viktoria Plzenit, në ndeshjen që nis nga ora 21:00.
“Ndeshja e parë do të jetë në Çeki ndaj një ekipi me shumë traditë në arenën ndërkombëtare. Na pret një ndeshje e vështirë, por ne duhet të zbatojmë detyrat e profesorit Daja. Duhet të jemi grup siç kemi qenë gjithmonë dhe pse jo të bëjmë një paraqitje siç i ka hije Ballkanit”, ka thënë futbollisti i Ballkanit, Nazmi Gripshi, të hënën për KOHËN. Ai është prej lojtarëve më të rëndësishëm te Ballkani.
Gripshi vlerëson se Ballkani është dashur të ketë më shumë ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen hapëse të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës. Ballkani të dielën luajti ndeshjen e katërt në Superligë. Barazoi me Dukagjinin 1:1, ndërsa menjëherë të enjten luan kundër Plzenit çek.
“Na vjen keq që nuk kemi pasur shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen. Të dielën kemi luajtur dhe i kemi vetëm dy ditë për përgatitje për ndeshjen kundër Viktorias. Por shpresoj të bëjmë një paraqitje dinjitoze kundër një kundërshtari të vështirë”, është shprehur Gripshi.
Ballkani ndeshjet evropiane si vendës do t’i luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Si asnjë klub tjetër kosovar, Ballkani arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës në edicionin e kaluar, 2022/2023. Paraqitja e ekipit suharekas në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave evropiane për skuadra të futbollit, ishte sukses historik.
Për paraqitje mori lëvdata edhe nga trajnerë e lojtarë kundërshtarë, ndërsa pati përkrahjen e gjithë Kosovës.
Gripshi pret që Ballkani edhe në edicionin aktual të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.
“Ballkani është gjithmonë gati për ndeshje të mëdha. Shpresojmë të bëjmë më të mirën edhe këtë edicion në Ligën e Konferencës”.
Klubi kampion bëri disa ndryshime para fillimit të edicionit aktual. Largoi disa futbollistë, ndërsa transferoi disa të tjerë. Fitoi 1 milion euro nga shitja e tre lojtarëve këtë vit. Së fundi shiti Meriton Korenicën, ndërsa më herët Albion Rrahmanin dhe Ermal Krasniqin.
Por Gripshi thotë se Ballkani ka ruajtur mentalitetin fitues.
“Kemi disa ndryshime, por te Ballkani dhe me profesorin Ilir Daja, mentaliteti është i njëjtë në çdo ndeshje”, ka theksuar Gripshi.
Ballkani i Suharekës është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Pikë kthese për të u dëshmua të jetë ardhja e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja. Ai vazhdon ta udhëheqë skuadrën me shumë sukses.
“Ballkanin e karakterizon loja e bukur, dëshira për të dhënë 100 % nga çdo lojtar dhe fryma e grupit që kemi në ekip. Frikë nuk kemi nga asnjë ekip, por respekt për të gjitha ekipet që kemi në grup. Janë ekipe me traditë dhe me buxhet më të madh se Ballkani. Se a do na e kenë frikën, kjo mbetet për t’u parë. Por ne kemi respekt për kundërshtarët. Natyrisht më shumë respekt duhet të kemi për veten tonë”, është shprehur durrsaku 26-vjeçar.
Krahas Plzenit, në grup Ballkani e ka edhe Dinamo Zagrebin dhe Astanën e Kazakistanit.
“Të tria skuadrat janë të vështira, sepse të arrish në grupet e një gare evropiane siç është Liga e Konferencës do të thotë që je një ekip me cilësi shumë të mira. Ne do t’i marrim ndeshjet me radhë, por të tria ekipet që kemi në grup kanë eksperiencë dhe secila ndeshje do të jetë e fortë dhe e vështirë. Ballkani ka arritur shumë suksese këta dy vjetët e fundit, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse përballë kemi ekipe me më shumë përvojë se ekipi ynë. Por ne do ta japim maksimumin në çdo ndeshje dhe pastaj në fund të shikojmë pikët që kemi marrë”, ka thënë Gripshi.
Gripshi vlerësohet një prej lojtarëve që ka dhënë kontribut të madh në sukseset e fundit të Ballkanit. Ai në kualifikimet e Ligës së Konferencës ka shënuar tri gola dhe ka asistuar tri herë. Një gol në katër ndeshje e ka shënuar edhe në Superligën e Kosovës në edicionin aktual.