Sport

Avdijaj, nga sulmuesi i skandaleve në shpresë të Zuerichut

Pesë ndeshje, asnjë fitore, me vetëm dy gola dhe ëndërr të shuar për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Kampioni në fuqi i Zvicrës, Zuerichu, pati një start katastrofal në sezonin e ri. Tani, transferimi më i ri i klubit, Donis Avdijaj (25), do të duhet ta nxjerrë nga kriza Zuerichun. Sulmuesi kosovar pati një rënie në karrierë vitet e fundit dhe skandale të shumta që e përcollën, por Avdijaj gradualisht e ka marrë veten dhe te Zuerichu po shihet si lojtar kyç për këtë sezon. Avdijaj në fillim të kësaj jave iu bashkua Zuerichut nga Hartbergu i Austrisë dhe me kampionin zviceran ka firmosur për tre vjet. Rol të rëndësishëm në transferimin e tij te Zuerichu luajti trajneri Franco Foda.

“Mundësia që të stërvitem sërish me të, më bëri ta marr këtë vendim”, tha Avdijaj pasi u prezantua me fanellën e Zuerichut.

Nën drejtimin e trajnerit gjerman, Avdijaj e ringjalli karrierën e tij te skuadra e Strum Grazit, ndërsa tani ai mund ta shpërblejë besimin e Fodas pas startit të tij të vështirë në krye të Zuerichut.

Avdijaj ishte konsideruar si talent i jashtëzakonshëm kur kishte firmosur kontratën e tij të parë profesionale me Schalken në vitin 2014, si 17-vjeçar. Ishte klauzola e lirimit në atë kontratë që shpjegonte gjithçka: 49 milionë euro. Ai nuk arriti t’i përmbushte pritjet e mëdha të ekipit gjerman në fushë, pasi pushtonte ballinat e gazetave jashtë saj. Avdijaj bleu veturë të shtrenjtë, shkaktoi aksident, për t’u bërë skandal. E më vonë, edhe klubet e tjera që e patën në radhët e veta pësuan sikurse Schalke për shkak se nuk ishte aspak i disiplinuar. Madje, edhe disa përgjigje të tij që nuk ishin shumë serioze në një intervistë për kanalin zyrtar të Sturm Grazit shkaktuan revoltim. Pas Sturmit, pason rrugëtimi i tij nëpër Evropë: Roda, Willem II, Trabzonspor, Heart, Emmen, Limassol dhe Hartberg, janë skuadrat që i shëtiti Avdijaj. Vetë lojtari flet për një “karrierë të rrëshqitshme”.

Në ndërkohë, duket se futbollisti që ka edhe gjashtë paraqitje me Kosovën, i ka lënë prapa të gjitha skandalet. Ai është pjekur, jeton më me vetëdije dhe ka ndryshuar ambientin. Te Hartbergu qysh tash po pendohen për largimin e tij.

“Së pari dhe më kryesorja, është se ne kemi humbur një lojtar fantastik. Ai është një djalosh i lezetshëm që jeton me futbollin nga mesnata në mesnatë. Ai është i fiksuar pas futbollit dhe është jashtëzakonisht i mirë për ekipin në zhveshtore”, ishin fjalët e trajnerit të Hartbergut, Klaus Schmidt.

Aspak nuk diskutohet që Avdijaj ka cilësi. Në fillim të këtij sezoni në Austri kundër Altachit, ai i vetëm ia siguroi Hartbergut fitoren me dy gola të shënuar.

“Ai është një vrasës që mundet i vetëm t’i vendosë ndeshjet”, tha Schmidt.

E këto janë cilësi që Zuerichut i duhen urgjentisht pas startit të dobët. Mundësisht, të enjten në Belfast kur ekipi zviceran do të luajë ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës kundër Linfieldit. Avdijaj ka të drejtën e paraqitjes në këtë ndeshje.