Donis Avdijaj ka shfaqur formë të mirë në ndeshjet përgatitore. Dhe sulmuesi kosovar është i vendosur të dëshmohet i vlefshëm për Zuerichun e Superligës së Zvicrës.
26-vjeçari është kthyer te Zuerichu pas periudhës së kaluar si huazim te Hartbergu në Bundesligën e Austrisë.
“Kam besim mjaftueshëm të them se bazuar në përgatitjet e deritashme do të jem i suksesshëm. Tani dua të shkoj në maksimum”, ka thënë Avdijaj për “Blick”.
Zuerichu është duke u përgatitur në Austri për edicionin e ri në Superligën e Zvicrës.
Avdijaj ka pasur një karrierë plot zhvillime. Ishte vlerësuar shpresë e madhe e Schalkes, por nuk u stabilizua te kjo skuadër. Ka luajtur huazim te Sturm Grazi e më pas te Roda në Holandë. Ishte te Willem II po ashtu në Holandë, te Trabzonspori në Turqi, te Hearti në Skoci, tek Emmeni në Holandë, AEL Limassoli në Qipro. Më pas luajti për Hartbergun në Austri. Zuerichu e transferoi verën e vitit të kaluar. Në janar e huazoi prapë te Hartbergu. Dhe tani e ka kthyer sërish në skuadër.
“Kam pasur një pjesë të dytë të kampionatit shumë të mirë. Tani jam kthyer në Zuerich, po e jap më të mirën dhe përfundimisht dua të luaj”, ka thënë Avdijaj.
Ai është pyetur për disa prej zhvillimeve në karrierë. Ka thënë se ka qenë në majë e në fund.
“Por gjithnjë kam vazhduar të punoj. Duhet forcë mentale për këtë. Tani kam dy vjet shumë të mirë prapa. Kam qenë në gjendje të zhvillohem në lojtar lider dhe e quaj veten fitues pasi gjithnjë dua të fitoj në stërvitje”.
Në tri miqësore Avdijaj ka shënuar katër gola. Mbetet të shihet nëse kjo është mjaftueshëm për ta bindur trajnerin e skuadrës, që ishte i njëjti që e largoi Avdijajn. Për më tepër, Zuerichu vazhdon të kërkojë sulmues.
Avdijaj i ka gjashtë paraqitje e dy gola për Kosovën. Por, nuk është ftuar për kohë të gjatë.